MASHT

U mbajt debat publik për Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara në Universitetin e Prizrenit

20 Maj, 2015

Debati publik për Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara ka vazhduar sot në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z Arsim Bajrami, edhe në këtë debat theksoi se me Projektligjin për Arsimin e Lartë, po synohet reforma në shumë aspekte në këtë nivel të arsimit, e cila do të ngrisë cilësinë në arsim dhe në menaxhim në arsimin e lartë.

Ministri Bajrami theksoi se, kemi nevojë për një ligj, i cili do të sigurojë standarde të cilësisë në arsimin e lartë, të definimit të autonomisë akademike dhe financiare të universiteteve, të bazuar në një proces të plotë të decentralizimit dhe bartje të vendimmarrjes tek njësitë sa më të vogla akademike.

Ky Projektligj, tha ministri Bajrami, vendosë standarde të larta për ato institucione që do të gëzojnë statusin e universitetit, ndërsa është forcuar roli i Senatit, të cilit organ i janë dhënë të gjitha kompetencat e vendimmarrjes akademike, ndërsa rektori do të jetë po ashtu produkt akademik.

Ndërsa duke folur për zhvillimin dhe perspektivën e Universitetit ” Ukshin Hoti ” në Prizren , ministri Bajrami theksoi se  ky institucion padyshim është një storie e suksesit për faktin se ka programe atraktive dhe do të jetë përherë në fokus të interesimit të të rinjve që të kryejnë shkollimin e lartë në Prizren . 

Ministri Bajrami ftoi profesorët dhe studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” që të jenë pjesë e debatit për Projektligjin për Arsimin e Lartë, në mënyrë që të kemi një ligj, i cili do të sjellë reforma në të mirë të ngritjes së cilësisë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.