MASHT

U HAP EDICIONI I PESTË I PANAIRIT TË SHKENCËS DHE KULTURËS

2 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Shkencës dhe Kulturës, që është mbajtur në ambientet e gjimnazit “Xhevdet Doda”, në Prishtinë. Në këtë Panair gjithashtu të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola dhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu.

Qëllimi i Panairit të Shkencës dhe Kulturës është të inkurajojë nxënësit të shprehin kreativitetin, dijen, dhe aftësitë e tyre në fushën e shkencës, teknologjisë, artit, dhe kulturës.

Kjo ngjarje ofron një platformë për prezantimin e projekteve, krijimeve artistike, dhe për të ndarë dije me një audiencë të gjerë. Përveç kësaj, panairi promovon bashkëpunimin, ndër kulturën, dhe vlerat e edukimit.

Ministrja Nagavci theksoi se organizimi i këtij panairi është i rëndësishëm dhe shumë produktiv, ndërkaq përgëzoi nxënësit bashkë me mësimdhënësit për këtë ngjarje të rëndësishme.

Nagavci tha se, është nder dhe kënaqësi që është në këtë Gjimnaz dhe se ka qenë shumë herë në pozicione të ndryshme, si punëtore e arsimit, si Drejtoreshë e Arsimit dhe së fundi si Ministre e Arsimit, gjithmonë për të parë rezultatet dhe sukseset e këtij Gjimnazi. Tutje shprehu mbështetjen dhe vlerësimin e plotë të punës së mirë që bëhet në këtë shkollë, nga ana e menaxhmentit të shkollës, bashkëpunimit me prindër dhe nxënës.

Ndërkaq, motoja e Panairit të Shkencës dhe Kulturës është “Shkenca e së sotmes është teknologji e s nesërmes” dhe është edicioni i pestë i këtij Panairi.

Last modified: 2 Maj, 2024

Comments are closed.