MASHT

MAShTI mbajti takimin me DKA-të

3 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në takimin me Drejtorët Komunal të Arsimit. Në këtë takim janë diskutuar çështje të rëndësishme të arsimit në Komuna si, legjislacioni i AAP-së, arsimi dual, arsimi për të rritur, aplikimi për grante dhe bursa, kurrikulat dhe trajnimet, përfundimi i vitit shkollor dhe plani për regjistrim në vitin e ri shkollor 2024/2025, me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit të aktiviteteve për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.

Ministrja Nagavci në këtë takim ka falënderuar DKA-të për punën dhe rezultatet e përbashkëta të cilat janë arritur gjatë vitit të kaluar, si dhe për përgatitjet e duhura për vitin e ardhshëm. Nagavci ka thënë se, në Arsimin dhe Aftësimin Profesional gjatë dy viteve të fundit janë arritë rezultate për të cilat jemi të vetëdijshëm se stafi, nxënësit dhe komuniteti e vlerësojnë shumë.

Në lidhje me zbatimin e mësimit dual, i cili është duke u zbatuar në 12 profile, ministrja Nagavci inkurajoi DKA-të që në bashkëpunim me bizneset, të identifikojnë profile të reja, në të cilat mund të fillohet mësimi nga shtatori.

Nagavci ka folur edhe për mundësinë e përfitimit të fondeve nga programet e Erasmus Plus, për çka tha se, gjatë muajve në vijim Zyra e BE-së në Kosovë do të organizojë takime informuese për mundësitë e përfitimit nga këto fonde, qoftë për lidhje të shkollave me vende të ndryshme, shkëmbime të profesorëve, nxënësve dhe aktivitete të tjera.

Gjatë diskutimit, ministrja ka kërkuar që vëmendje e shtuar t’i kushtohet Draftligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, i cili aktualisht është në dëgjim publik, në mënyrë që të adresohen të gjitha çështjet e rëndësishme.

Ministrja Nagavci po ashtu ka rikujtuar se në takimet e mëhershme me drejtorët komunal të arsimit, ishte ngritur si shqetësim çështja e punësimit të stafit, sidomos kur nevojat kanë qenë të paplanifikuara, me ç’rast bëri të ditur se tashmë është finalizuar Rregullroja për punësimin drejtorëve, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla.

Ajo tha se, Rregullorja do t’iu prezantohet DKA-ve për diskutim, me qëllim që të arrihet në përfundim se janë përfshirë të gjitha nevojat që reflektojnë prej punës së përditshme në shkolla.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka bërë të ditur se, synohet të rishikohen dhe plotësohen edhe dy ligje të tjera, Ligji për Arsimin dhe Aftësimin e të Rriturve dhe Ligji për Kualifikimet Kombëtare.

Temë diskutimi në takim ishte edhe rëndësia e orientimit në karrierë, e cila nga viti i kaluar është rregulluar edhe me nxjerrjen e UA për nivelin 6-9 dhe punësimin e këshilltarëve të karrierës, në mënyrë që nxënësve t’u jepen orientimet me kohë e që shpresojmë që pastaj kjo do të ndikojë në adresimin e sfidave që disa shkolla i kanë hasë në raport me sigurimin e nxënësve.

Last modified: 3 Maj, 2024

Comments are closed.