MASHT

U CERTIFIKUAN TRAJNERËT PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE

13 Tetor, 2021

13 Tetor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejqiq, bënë certifikimin e trajnerëve për të drejtat e fëmijëve, Projekt ky që është ofruar nga Instituti për Promovimin e Edukimit dhe është financuar nga ambasada e Sllovenisë në Kosovë.

Ministrja Nagavci falënderoi ambasadoren Benedejqiq për nivelin e lartë të bashkëpunimit në mes dy shteteve tona, duke shtuar se mirëpret bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Nagavci tha se, fusha e të drejtave të fëmijëve është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë, andaj kërkoi bashkëpunim të plotë nga trajnerët e certifikuar, në mënyrë që të kemi respektim të të drejtave të fëmijëve në secilin nivel institucional.

Ministrja Nagavci i përgëzoi pjesëmarrësit për përfundim të suksesshëm të trajnimit dhe kontributin që do të japin në respektimin e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.

Ambasadorja Benedejqiq theksoi se, ndjehet e nderuar duke qenë pjesë e një bashkëpunimi i cili promovon respektimin e të drejtave të fëmijëve.

Benedejqiq tha se, është e domosdoshme që fëmijët ti kenë të njohura të drejtat e tyre sociale, ekonomike dhe kulturore, në mënyrë që të dinë ti përdorin ato për të mirën e tyre dhe të shoqërisë.

Ndërsa, Ramush Lekaj nga Instituti për Promovimin e Edukimit tha se Projekti për të drejtat e fëmijëve është duke u zbatuar në Kosovë nga viti 2005, duke lehtësuar në masë të madhe avancimin e mësimdhënies në Kosovë.

Last modified: 7 Qershor, 2022