Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad morën pjesë në prezantimin zyrtar të aplikacionit “Siguria për Fëmijët në Trafik”.
Qëllimi i këtij aplikacioni është të edukojë dhe ndërgjegjësojë fëmijët për rregullat e trafikut dhe sjelljen e sigurt në rrugë.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, ofrimi i sigurisë fizike për më të vegjlit është objektivi kryesor i platformës, ndërsa shtoi se ky është një projekt tejet i qëlluar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me mbështetjen e GIZ-it gjerman.
Nagavci tutje tha se, Ministria e Arsimit ka kontribuar përmes pjesëmarrjes në grupin punues për hartimin e projektit, duke sjellë përvojën aktuale të punës me shkolla, sidomos me fëmijët e grup moshës 6-12 vjeç e të cilëve u dedikohet ky program.
Ministri Liburn Aliu theksoi rëndësinë e edukimit të fëmijëve për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e tyre në trafik. Ai përmendi se ky projekt është një hap i madh drejt krijimit të një mjedisi më të sigurt për fëmijët, duke përfshirë edukimin e tyre për rregullat e trafikut dhe sjelljen e sigurt në rrugë.
Ndërsa, zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për të siguruar një mjedis më të sigurt për fëmijët në trafik, duke vlerësuar iniciativën si një hap të rëndësishëm drejt edukimit të fëmijëve.
Projekti është financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe mbështetet nga partnerë të ndryshëm, përfshirë Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
Last modified: 13 Shtator, 2024