MASHT

Reagim në lidhje me lajmin e publikuar në KTV dhe portalin Koha.net, me titull “MASHTI s’e mban premtimin për punësim të 300 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara”

18 Mars, 2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit reagon në lidhje me lajmin e publikuar në KTV dhe portalin Koha.net, me titull “MASHTI s’e mban premtimin për punësim të 300 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara”, i publikuar më datë 16 mars në KTV dhe portalin Koha.net:https://ëëë.koha.net/arberi/412916/mashti-se-mban-premtimin-per-punesim-te-300-asistenteve-per-femije-me-aftesi-te-kufizuara/ 

MASHTI njofton se, gazetares së Grupit KOHA i është kthyer përgjigja e kërkuar më datë 13.03.2024, në ora 14:06 minuta përmes emailit. Megjithatë, në lajmin e publikuar në KTV dhe Koha.net nuk është pasqyruar fare qëndrimi i MASHTI me arsyetimin se Ministria nuk ka kthyer përgjigje. 

Përmes përgjigjes me shkrim e cila nuk është publikuar nga KOHA, MASHTI ka njoftuar se ka ndarë buxhetin tek komunat për punësimin e 500 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe se krahas kësaj janë marrë hapa konkret për shkollimin dhe punësimin e tyre. 

Përmes përgjigjes me shkrim, MASHTI e ka bërë të qartë se është duke punuar shumë që nxënësit me nevoja të veçanta të kenë mundësi të barabarta për qasje në arsim, të vijojnë mësimin, si dhe të marrin pjesë në shkollat e rregullta.

Në pyetjen e gazetares së Grupit KOHA se, “Cilat komuna nuk kanë punësuar gjatë vitit të kaluar asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuar?”, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është përgjigjur se, “Sipas të dhënave të raportuara në MASHTI, Komuna e Mitrovicës, Gjilanit, Fushë Kosovës, Ferizajt dhe Gjakovës, nuk kanë punësuar asistentë vitin e kaluar, ndërsa disa komuna tjera kanë punësuar më pak asistentë nga numri i planifikuar. Siç e dini, komunat menaxhojnë vet me buxhetin e tyre. Ndonëse buxheti është i ndarë për punësimin në këto pozita, ka një neglizhencë nga komunat për punësimin e asistentëve”. 

MASHTI vlerëson se titulli “MASHTI s’e mban premtimin për punësim të 300 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara” dhe komplet qasja e lajmit është e pasaktë duke e ditur se Ministria me kohë e ka ndarë buxhetin për punësimin e asistentëve dhe se është në dorë të komunave të bëjnë punësimin e tyre. 

Me gjithë kërkesat e shumta për qasje në dokumente publike dhe vështirësitë që shkakton te stafi në punën e përditshme realizimi i kërkesave, si dhe pyetjet e shumta që vijnë nga gazetarët, MAShTI ka qenë gjithmonë i hapur për t’iu përgjigjur medieve dhe qytetarëve. 

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si çdo herë do të vazhdojë të jetë e hapur dhe transparente në ofrimin e informatave që kërkohen nga gazetarët dhe mediat.

Last modified: 18 Mars, 2024

Comments are closed.