MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË SHËNIMIN E FESTËS SË SHKOLLËS “YLL MORINA” NË GJAKOVË

15 Mars, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Festës së Shkollës “Yll Morina” në Gjakovë, ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova-Baçi, familjarë, veteranë të arsimit, drejtorë, mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se është emocion i veçantë kthimi në shkollën “Yll Morina”, shkollë në të cilën Ylli fillimisht ishte nxënës dhe e cila tashmë e mbanë emrin e tij.

Nagavci tha se nderojmë me respekt kontributin dhe sakrificën më sublime që e bënë Ylli, shokët e shoqet e tij, vajzat, gratë, djemtë dhe burrat të cilët sakrifikuan më të shtrenjtën e tyre, që ne të jetojmë të lirë.

Nagavci gjithashtu theksoi se, Ylli si një i ri ju bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u plagosur fillimisht e për të humbur jetën si sot njëzetepesë vite më parë, jeta dhe sakrifica e të cilit mbetet një udhërrëfyes për të gjithë ne, që të punojmë për shtetin i cili u ndërtua mbi gjakun dhe mbi sakrificat e mijëra djemve dhe vajzave.

Ministrja Nagavci uroi nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës që të kenë punë të suksesshme, cila do të japë rezultate për fëmijët tanë.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se, nuk ka lartësim më të madh për një individ se kur gjaku i tij bëhet gëzim për gjeneratat e reja. Gjini rikujtoi 15 marsin e vitit 1999, ditën kur Yll Morina kishte rënë për lirinë e atdheut.

Ministrja Nagavci dhe pjesëmarrësit tjerë, me rastin e shënimit të kësaj Feste kanë bërë homazhe te varri i Yll Morinës, emrin e të cilit e mbanë shkolla.

Last modified: 15 Mars, 2024

Comments are closed.