MASHT

PUBLIKOHEN REZULTATET E TESTIT PISA 2022

8 Dhjetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencën për media ka folur për rezultatet e Testit PISA 2022 në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë 6027 nxënës nga 229 shkolla.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, rezultatet e këtij cikli të testimit kanë qenë të pritshme, duke e ditur se testi është realizuar në vitin 2022, në një situatë pas pandemisë ku mësimi është mbajtur me vështirësi të mëdha.

Ministrja Nagavci gjithashtu ka theksuar se, edhe raportet vendore, por edhe studimet ndërkombëtare konstatojnë se për shkak të situatës me pandeminë, nxënësit në përgjithësi kanë pësuar rënie në të nxënë dhe kjo ka ndikuar në performancë më të ulët në Testin PISA në përgjithësi, pra jo vetëm në Kosovë dhe në vendet e rajonit.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka folur për veprimet të cilat janë ndërmarrë, në mënyrë që të evitohen pasojat e humbjeve të shkaktuara për shkak të mësimit në distancë, ndër të cilat përmendi vendimin për mësimin plotësues për nxënësit që kanë pasur ngecje, rishikimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore, nxjerrjen e pakos ligjore për avancimin e mësimdhënësve në karrierë, trajnimin e mësimdhënësve në programe të ndryshme, etj.

Ministrja Nagavci po ashtu ka bërë të ditur se muaj më parë MAShTI ka nënshkruar Marrëveshje me Fakultetin e Edukimit ku në kuadër të kësaj marrëveshje do të analizohen rezultatet e Testit PISA, për të eksploruar variablat e ndryshme që mund të na zbulojnë indikatorët tjerë përmes raporteve analitike, në mënyrë që vendimet për politikat që ndërmerren të jenë të bazuara në indikatorë të besueshëm dhe në analiza sa më të sakta.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësime, Standarde dhe Monitorim, Fatmir Elezi ka rikujtuar se testet nuk ndërlidhen drejtëpërdrejtë me kurrikulat e vendeve pjesëmarrëse.

Elezi ka bërë të ditur se bazuar në këto rezultate, në lexim Kosova radhitet e 76-ta me 342 pikë, në shkencë e 77-ta me 357 pikë kurse në matematikë e 74-ta me 355 pikë.

Sipas rezultateve të publikuara, në Testin PISA 2022 vajzat kanë shfaqur performancë më të mirë në lexim dhe në shkencë, ndërsa në matematikë e cila ka qenë fusha kryesore për këtë vit, vajzat dhe djemtë kanë shënuar rezultat të barabartë.

Last modified: 8 Dhjetor, 2023

Comments are closed.