MASHT

PËRMBYLLET JAVA KUNDËR BRAKTISJES SË SHKOLLIMIT

29 Nëntor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në përmbylljen e Javës kundër braktisjes së shkollimit, me moton “Mundësi të barabarta për të gjithë”, me ç ‘rast është mbajtur tryeza e diskutimeve për trajtimin e gjendjes aktuale sa i përket zbatimit të politikave kundër braktisjes dhe adresimit të së drejtës për arsim.

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se, po përmbyllet një javë më shumë aktivitete, të cilat kanë për qëllim realizimin e synimeve për uljen e rasteve të braktisjes së shkollimit dhe parandalimit të kësaj dukurie.

Ministrja Nagavci po ashtu ka theksuar se, statistikat tregojnë për një rënie të lehtë të braktisjes, megjithatë nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi se asnjë fëmijë nuk është larg bankave shkollore.

Duke folur për politikat arsimore të cilat kanë për qëllim parandalimin e braktisjes dhe bazën ligjore e cila siguron zbatimin e këtyre politikave, ministrja Nagavci tha se, në kuadër të veprimeve që MAShTI ka ndërmarrë në këtë drejtim është edhe ndarja e bursave për nxënësit e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për ekipet për parandalim të braktisjes dhe mos regjistrimit, të cilat funksionojnë në kuadër të shkollave, si një mekanizëm mbikëqyrës i cili ndihmon në parandalimin e shkollimit.

Ajo po ashtu ka falënderuar të gjitha organizatat dhe partnerët të cilët mbështesin Ministrinë në këtë qëllim madhor dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli tha se Ministria e Drejtësisë gjatë këtyre ditëve është në vlugun e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, dhe në kuadër të këtij aktivizmi, rëndësi të veçantë po i kushtohet edhe çështjes së baktisjes me të cilën ballafaqohet shoqëria jonë.

Qorroli tha se MD dhe qendrat për punë sociale respektive e kanë obligim të bashkëpunojnë me shkolla në mënyrë që të identifikojnë fëmijët që kanë tendenca të braktisjes së shkollës dhe ato kanë të drejtë të ndërhyjnë qoftë edhe në familje, në mënyrë që të parandalohet braktisja.

Për rëndësinë e parandalimit të braktisjes së shkollimit dhe mos regjistrimit ka folur edhe shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman.

MAShTI ka shpërblyer shkollën fillore të mesme të ulët “Gjergj Fishta” në Prishtinë, si një nga institucionet arsimore e cila ka adresuar më së shumti raste të braktisjes së shkollimit.

Last modified: 29 Nëntor, 2023

Comments are closed.