MASHT

Promovohet në Tetovë libri “Kosova në krizën jugosllave” i Prof.Dr. Ramë Buja

14 Mars, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof.Dr.Ramë Buja, promovoi në Tetovë, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), librin “Kosova në krizën jugosllave”

Libri në shatë kapituj përfshinë elemente faktografike dhe akademike që kanë të bëjnë me procesin e shtetformimit të Kosovës në etapa të ndryshme, me theks të veçantë shthurjen e Jugosllavisë, aspektet politike, juridike dhe ekonomike, në këtë kontekst dhe proceset tjera të shtetformimit të Kosovës, pëfshirë luftën e UÇK së dhe Konferencën e Rambujesë.

Autori i librit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, pasi ka falënderuar të pranishmit, foli për rëndësinë e ngjarjeve, të cilat janë trajtuar në libër, duke thënë se shpreson që ky libër, përveç tjerash, do të jetë një bazë e mirë për studiuesit e ardhshëm të kësaj periudhe dhe kësisoj të pasqyrohet sa më mirë, natyrisht duke u bazuar në fakte të shumta që posedojmë.

“Nuk them se kam përfshirë gjithçka në këtë libër, por ky është kontributi im modest për kohën që e jetuam që nga fillimet e shthurjes së shtetit jugosllav dhe fazat tjera të shtetndërtimit tonë. Nuk kam pretenduar që të shterroj tërë materien, por kam thënë atë që kam menduar, që kam gjetur nëpër arkivat, dokumentacionin që kam konsultuar”, tha ai.

Blerim Reka, prorektor i Universitetit të Evropës Juglidore, tha se autori i librit duke kombinuar dijen dhe përvojën, teorinë dhe empirinë, faktet e ftohta shkencore, por edhe involvimin e tij personal, ofron një analizë shkencore politike të Kosovës dhe kapërcimin midis shekullit 20 e 21 .

„Libri trajton njërën nga periudhat më dramatike të historisë ballkanike, atë të shpërbërjes së perandorisë së fundit komuniste sllave dhe të lindjes së shtetit më të ri evropian, të lindjes së një krijese shtetërore natyrale të Prishtinës, mbi gërmadhat e një krijese artificiale të Versajit. Autori jep kontribitin e tij intelektual në këtë jubile 100 vjeçar të shtetit shqiptar, por edhe me ndriçimin shkencor të vuajtjeve njëqindvjeçare të pjesës së kombit të mbetur jashtë jurisdiksionit të këtij shteti shqiptar”, ka thënë Reka.

Sipas tij, pyetja esenciale që autori shtron në librin e tij është nëse kishte apo nuk kishte kuadër të mirëfilltë institucional, politik dhe juridik diplomatik ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës jugosllave. Përgjigjen në këtë pyetje, Buja vazhdon ta shtjellojë në 7 kapituje 4 78 faqe të këtij libri ku vend qendror në analizën e tij zë Kosova , para gjatë dhe pas përfundimit të luftës.

Ali Pajaziti, recensent, ndër të tjera theksoi se libri „Kosova në krizën jugosllave”, paraqet një fushë të deskripcionit të analizës shkencore të odiseades shqiptare në fund të mileniumit të dytë dhe fillimit të atij të tretë.

Në promovim të këtij libri mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skender Durmishi, ndërsa pikëpamjet e tyre për vlerat historike e shkencore të librit në fjalë, i shprehën edhe Fatmir Arifi dhe Demush Bajrami.

Ndryshe, libri “Kosova në krizën jugosllave”, është ribotim i përpunuar dhe plotësuar. Kapitulli i parë flet për vitet e fundit të Jugosllavisë, aspektet politike, juridike dhe ekonomike. Kapitujt dy deri në gjashtë, janë titulluar Ndërkombëtarizimi i krizës dhe shkatërrimi i Jugosllavisë, përfshirë Konferencën e Hagës, Konferencën e Londrës, Konferencën e Dejtonit dhe Konferencën e Rambujesë , ndërsa kapitulli i gjashtë është përmbledhje e zhvillimeve në Kosovën Lindore, ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Unionin Serbi- Mali i Zi. Kapitulli i shtatë përmbanë aktin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe bërjen e shtetit më të ri në botë, Republikën e Kosovës.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.