MASHT

PREZANTOHET RAPORTI I FAZËS SË PARË PILOTUESE PËR TEKSTET E GJUHËS SHQIPE DHE MATEMATIKËS

12 Dhjetor, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim, i cili është prioritet i Qeverisë së Kosovës, ka inicuar rishikimin e teksteve të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa 1-9 dhe në bashkëpunim me projektin “KosEd:Përkrahje për arsimin fillor dhe të mesëm të lartë” dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, prezantuan sot raportin për 38 tekste të gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa 1-9.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se prezantimi i gjetjeve dhe rekomandimeve është rezultat i një pune të rëndësishme dhe dëshmi e një serioziteti drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në nivelin parauniversitar.

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se disa nga gjetjet kanë të bëjnë me kontekstet, sepse shumica e teksteve shkollore janë teorike dhe rekomandimet do të ndihmojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik.

Ministrja Nagavci gjithashtu ka bërë të ditur se, analiza e këtyre teksteve ka treguar se shumica e teksteve shkollore nuk janë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve, shumë nga tekstet janë të gjata, me jo mjaftueshëm ilustrime dhe shpeshherë pa mesazh, sepse këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës së Kosovës, duke sjellë mesazh për historinë tonë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka theksuar se, tekstet shkollore ndër vite janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtësor dhe atë teknik, megjithëse ato vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm dhe shpesh janë burimi i vetëm mësimore që përdorin mësimdhënësit dhe nxënësit.

Ministrja Nagavci gjithashtu ka thënë se, adresimi i cilësisë së teksteve shkollore me të cilat mësojnë fëmijët tanë është realizuar përmes një bashkëpunimi efikas me bazë të gjerë, ku janë përfshirë ekspertë arsimorë dhe mësimdhënës nga shkollat tona, palët kyçe që punojnë me tekstet në fjalë.

Anne Sophie Houee nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se dëshiron të urojë të gjitha palët e përfshira në procesin e rishikimit të teksteve, me dëshirën që ky proces të vazhdoj tutje.

Udhëheqësi i ekipit të projektit Kos Ed, Alexis De Roquefeuil, theksoi se ky proces ka qenë një nga punët e rëndësishme për Zyrën e Bashkimit Evropian, pasi BE ka mbështetur vazhdimisht arsimin në Kosovë.

Roquefeuil bëri të ditur se faza pilotuese e këtyre teksteve duhet të përsëritet në vitet e ardhshme.

Faza e parë e këtij procesi pilot ka synuar 21 tekste shkollore të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës, ku për secilin nga këto tekste recensentët kanë përpiluar raporte të detajuara, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Arsimit.

Last modified: 12 Dhjetor, 2023

Comments are closed.