MASHT

Presidenti Thaçi dhe ministri Bajrami vizituan Universitetin e Mitrovicës

19 Maj, 2016

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagchilar vizituan Universitetin Publik “Isa Boletini”, në Mitrovicë, me ç’ rast biseduan me stafin menaxherial dhe akademik lidhur me të arriturat e këtij institucioni. Në kuadër të kësaj vizite ata panë nga afër edhe punimet që po bëhen në ndërtimin e Kampusit Universitar.

Presidenti Thaçi me këtë rast ndau diplomën për studenten e parë të diplomuar në këtë Universitet.

Ndërsa, me rastin e vizitës në hapësirën ku po ndërtohet Kampusi, presidenti Thaçi ka vlerësuar lartë punën që po bëhet në këtë Universitet, sa i përket përmirësimit të infrastrukturës dhe ndërtimin e standardeve të edukimit, në përgatitjen e kuadrove të reja.

“Ndihem mirë që ka filluar ndërtimi i hapësirës së re moderne në Rektoratin e këtij Universiteti. Nga kjo që pamë sot, në këtë Universitet, përpos reformave në arsim, që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, ofrohen edhe drejtime të veçanta nga universitetet tjera të Kosovës, duke e bërë institucion atraktiv për të studiuar”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndërsa, ministri Bajrami ka theksuar se Universiteti Publik “Isa Boletini” është shembull i menaxhimit dhe punës së jashtëzakonshme që po bëhet, në krijimin e një institucioni modern. 



“ Universiteti Publik “Isa Boletini” ofron programe të veçanta, ndërsa me ndërtimin e këtij objekti modern do të krijohen të gjitha kushtet që jo vetëm Mitrovica, por tërë regjioni të ketë një universitet modern, i cili tërësisht i është përshtatur nevojave të tregut të punës. Ky menaxhim i mirë i këtij Universiteti ka arsyetuar vendimin e  Qeverisë së Kosovës për të themeluar këtë universitet”, është shprehur ministri Bajrami.

Presidenti Thaçi dhe ministri Bajrami shprehën besimin, se viti i ri akademik do ta gjejë këtë Universitet me një ambient modern, i cili ofron kushte të përshtatshme për punën e studentëve dhe stafit akademik. 

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.