MASHT

Përurohet objekti i ri i shkollës “Naim Frashëri” në Zaskok të Ferizajt

1 Shtator, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” në fshatin Zaskok të Ferizajt, e cila është investim i MAShTI-t në vlerë prej rreth 1.4 milionë euro.

Nga kjo shkollë, ministrja ka uruar të gjithë nxënësit e Kosovës, si dhe mësimdhënësit e prindërit për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, e veçanërisht u ka uruar suksese nxënësve që sot fillojnë klasën e parë. Ministrja Nagavci e vlerësoi si ngjarje të veçantë përurimin e këtij objekti shkollor dhe tha se kjo është një mundësi për të siguruar kushte për arsimimin e 600 nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë.

“Si Ministri e Arsimit jemi gjithmonë në mbështetje të mësimdhënësve, të nxënësve dhe të DKA-ve e shkollave, në mënyrë që angazhimi ynë i përbashkët të krijojë më shumë mundësi për nxënësit tanë dhe të krijojmë të gjitha kushtet që ata të shkëlqejnë me potencialin e tyre dhe të arrijnë rezultatet që i synojnë”, tha ministrja.

Ministrja Nagavci përmendi faktin se Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për arsimin dhe vet investimi në ndërtimin e kësaj shkolle dhe sigurimi i gjithë infrastrukturës përcjellëse flet për përkushtimin tonë jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, por edhe për gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar.

Ministrja theksoi se bashkëpunimi i nivelit qendror, atij lokal dhe të gjithë akterëve të përfshirë në arsim, e garantojnë suksesin e nxënësve, andaj i ftoi të gjithë që të angazhohen, në mënyrë që nxënësit të arrijnë rezultatet e synuara.

Objekti shkollor, i cili u përurua sot, e ku do të ndjekin mësimin 600 nxënës, prej të cilëve 50 përqind janë të komunitetit ashkali, rom e egjiptian, përbëhet nga 20 klasa, salla të arsimtarëve, kabinete dhe hapësira të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 5400 metër katror dhe është pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme për zhvillimin e një dite mësimore sa më produktive.

Last modified: 1 Shtator, 2023

Comments are closed.