MASHT

Përmbyllet faza e parë e projektit më të madh ndërkombëtar në arsimin e lartë – KAIP

1 Dhjetor, 2010

Projekti shumë dimensional Austriak për Arsimin e Lartë – KAIP, i cili është edhe projekti më i madh ndërkombëtar në arsimin e lartë, ka përmbyllur sot fazën e parë, respektivisht punën e deritanishme katër vjeçare në Kosovë, në një manifestim të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Me këtë rast, në emër të ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, u.d i sekretarit të përgjithshëm në MASHT, Skender Xhakaliu ka përshëndetur në emër të ministrit Hoxhaj të pranishmit dhe ka falënderuar popullin dhe qeverinë austriake për përkrahjen. 

Xhakaliu konstatoi se MASHT-i ka hyrë në procesin e reformimit të arsimit të lartë me aspiratën për të zhvilluar një sistem të efektshëm të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në funksion të ngritjes së mirëqenies së shoqërisë kosovare me mundësi të barabarta për të gjithë, në pajtim me vlerat e lirisë, demokracisë dhe të diversitetit.
„Në këtë kuadër, gjatë viteve 2008, 2009 dhe 2010 është shënuar një fazë e sukseseve të shumta në përmbushjen e këtij synimi dhe në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, dhe në këtë proces e ka pasur përkrahjen e partnerëve dhe partneri kryesor është Austria”, theksoi ai.

Përkrahja e Austrisë, tha Xhakaliu, ka qenë e orientuar çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me objektivat strategjike të zhvillimit të arsimit të lartë ndërsa tani kur Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit dhe të integrimeve në Evropë, Austria prapë shihet si partneri/donator më i rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë. 

„MASHT-i, vlerëson maksimalisht gatishmërinë dhe vullnetin e Austrisë për të vazhduar me mbështetjen e sektorit të në arsimin e lartë në Kosovë, duke zgjatur fazën aktuale, te projektit KAIP dhe të mbulojë zbatimin e mbetur në kuadrin e Strategjisë për Arsimin e Lartë, sidomos në ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin e fondit për kërkime shkencore, mbështetjen e mëtutjeshme te Agjensionit Kosovar për Akreditim, për të nxitur ndërmarrësinë në institucionet e arsimit të lartë, rritjen e kapaciteteve te arsimit te larte etj.”, tha ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë për Kërkime dhe Shkencë i Austrisë, Sigurd Hollinger theksoi se shteti austriak ka përkrahur zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë që nga viti 1999 me projekte të ndryshme dhe asnjëherë nuk ka munguar qasja sistematike e Austrisë në avancimin e shkencës dhe arsimit të lartë në Kosovë.

Ai tha se studentë dhe hulumtues kosovarë kanë arritur të bëhen pjesë dhe të marrin dije në institucionet e arsimit të lartët Austrisë, ndërsa projekti KAIP ka arritur që të ndihmojë arsimin e lartë në shumë segmente të zhvillimit të tij.

Ai përmendi përkrahjen për procesin e akreditimit dhe mbështetjen e Agjencisë për Akreditim të Kosovës (AAK), veçanërisht sjelljen e ekspertëve ndërkombëtar që janë inkuadruar në këtë proces, programet e shkencës në nivelin e doktoratës me dërgimin e profesorëve për të kryer këto studime në Austri, metodat e mësimit në UP, themelimin e Universitetit të Prizrenit, hartimin e strategjive… 

Ndërsa, Johan Gynter, menaxher i projektit KAIP, vlerësoi se ky projekt nuk ka ndihmuar vetëm zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, por ka kontribuar edhe në shumë fusha të tjera. Kërkimi shkencor, mbështetja e MASHT-it për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, hartimi dhe mbulimi i strategjive, kanë qenë disa nga të arriturat përmes projektit KAIP, të cilat i përmendi ai.

Drejtori i Departamentit për Arsimin e Lartë në MASHT, Avdulla Alija, ndër të tjera theksoi përkrahjen e KAIP-it në fushën e ndërkombëtarazimit të arsimit të lartë si dhe lidhjen më të mirë të arsimit të lartë me tregun e punës dhe ekonominë në përgjithësi, duke përkrahur strukturat përgjegjëse. “Dua të konstatoj se me Austrinë jemi bashkëpronarë të procesit të reformimit të arsimit të lartë në Kosovë”, tha ai.

Projekti KAIP ka mbështetur themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Arsim të Lartë, Shkencë dhe Teknologji si dhe të Qendrës Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC), Qendrën për Inovacione dhe Transfer të Teknologjisë, ka ofruar përkrahje në draftimin e statutit të Upz etj. Ekspertët eminentë Austriak kanë ofruar ekspertizë edhe në kuadër të projekteve tjera si “Studimi për financimin e arsimit të lartë ” nga prof. Hoellinger. Po ashtu, ky projekt ka ndihmuar Këshillin Kombëtar për Shkencë në funksionalizimin dhe punën e tij.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.