MASHT

NUSHI: INFRASTRUKTURA LIGJORE NË KOSOVË SIGURON AMBIENT TË HAPUR NDAJ DIVERSITETIT

14 Dhjetor, 2023

Për nder të 10 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është organizuar konferenca me temën “Të drejtat e njeriut – Roli i institucioneve dhe shoqërisë civile në përmirësimin dhe avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, me ç’rast në emër të ministres së Arsimit, ka folur këshilltari i lartë politik, Muhedin Nushi i cili ka thënë, se arsimi gjithëpërfshirës mbështetet në parimin e vlerësimit të mirëqenies të të gjithë nxënësve, respektimin e dinjitetit dhe autonomisë së tyre të natyrshme, duke i pranuar kërkesat dhe aftësitë individuale të secilit, për t’u përfshirë në mënyrë efektive dhe për të kontribuar në shoqëri. 

Nushi ka thënë se sistemi arsimor gjithëpërfshirës vlerëson atë që ekziston, pa përjashtim, i jep meritat e duhura dhe e ndërton veten mbi pikat e forta të pjesëmarrësve të tij.

Ndër të tjera, Nushi ka vlerësuar se, për të përqafuar me sukses arsimin gjithëpërfshirës, kërkohet një angazhim i vazhdueshëm dhe proaktiv i të gjithëve, në mënyrë që të eliminohen barrierat që pengojnë të drejtat për arsim, për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Sipas këshilltarit Nushi, sistemi aktual i arsimit në Kosovë për fëmijët me aftësi të kufizuara, gjithmonë po shkon drejt hapjes, me qëllim që këta nxënës të jenë pjesë e shkollave dhe klasave të rregullta, kjo pasi MAShTI ka punuar në hartimin e infrastrukturës ligjore, e cila do të mundësojë arsimimin e të gjithë fëmijëve dhe sigurimin e një ambienti të hapur ndaj diversitetit.

Konferenca e cila shënon rëndësinë e 10 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut është organizuar nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK), në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) dhe Fondin për Zhvillimin në Komunitet (CDF).

Ndryshe, sipas statistikave të publikuara, në Kosovë në nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët janë të përfshirë 230 mijë nxënës, 7611 nga prej tyre janë të regjistruar në sistemin SMIA, ndërsa 313 nxënës ndjekin mësimin në Qendra Burimore.

Me qëllim që të krijohen mundësi dhe kushte të barabarta për të gjithë, Qeveria e Kosovës kishte shpallur vitin 2022, Vit të personave me aftësi të kufizuara. Në kuadër të këtij viti, është bërë një mobilizim i të gjitha institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, por edhe shoqërisë në përgjithësi, drejt mbrojtjes, avancimit të të drejtave dhe përmirësimit të situatës së personave me aftësi të kufizuara.

Last modified: 26 Dhjetor, 2023

Comments are closed.