MASHT

NË VLORË PO MBAHET SEMINARI I XVI MBARËKOMBËTAR ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

31 Korrik, 2023

Seminari i XVI Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë, i organizuar nga ministritë e Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, i cili këtë vit po mbahet në Vlorë, ka mbledhur 150 mësues nga vende të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë.

Në seminarin e këtij viti mësimdhënës shqiptarë nga diaspora do të kenë rastin që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre dhe të diskutojnë rreth temës “Teori dhe praktika të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”.

Në hapjen e Seminarit, kanë marrë pjesë edhe dy ministret e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi, të cilat janë zotuar se do të vazhdojë puna e përbashkët mes dy vendeve për ta mbështetur mësimin plotësues në diasporë me politika adekuate.

Me këtë rast, ministrja Nagavci, në fjalën e saj, ka falënderuar mësuesit shqiptarë në diasporë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të kaluar çdo vështirësi që fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë ta njohin gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, në vazhdimësi janë të angazhuara për zhvillimin dhe avancimin e mësimit shqip në diasporë. Tashmë janë hartuar kurrikula të përbashkëta, ndërsa janë duke u hartuar tekstet e reja për mësimin shqip në diasporë.

Last modified: 31 Korrik, 2023

Comments are closed.