MASHT

NË FORUMIN BOTËROR TË EDUKIMIT NË LONDËR, MINISTRJA NAGAVCI FLET PËR KOMPONENTËN E DIXHITALIZIMIT TË ARSIMIT NË KOSOVË

11 Maj, 2023

Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Botëror të Edukimit në Londër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ishte pjesë e panelit me temën “Si ta shfrytëzojmë me maturi teknologjinë e aplikuar në arsim”.

Në këtë panel ndër të tjera u diskutua rreth asaj se, çka nënkupton përdorimi me maturi i teknologjisë kur aplikohet në fushën e arsimit; a mund të thuhet se tani aplikimi i teknologjisë ka për qëllim avancimin e të nxënit, përpunimit të të dhënave dhe zhvillimit të mësimit, si dhe nëse po shfrytëzohet maksimumi i potencialit pozitiv të teknologjisë dhe po kufizohen në maksimum aspektet negative.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, maturia luan rol kyç në edukim në shumë dimensione, duke filluar nga hartimi i kujdesshëm i politikave arsimore e deri te implementimi i suksesshëm i tyre.

Nagavci tha se, Strategjia e Arsimit synon zhvillimin e materialeve alternative dixhitale dhe të kompetencave për përdorim të teknologjisë me qëllim të rritjes së cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, krahas planifikimit, monitorimit, vendimarrjes dhe politikëbërjes.

Nagavci ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë për të garantuar që nxënësit tanë të kenë qasje në arsim cilësor, pavarësisht nga prejardhja apo vendndodhja e tyre, duke shtuar se rol kyç në avancimin e rezultateve në arsim kanë mësimdhënësit.

Last modified: 11 Maj, 2023

Comments are closed.