MASHT

MINISTRJA NAGAVCI TAKOI DISA NGA STUDENTËT PËRFITUES TË BURSËS NGA PROGRAMI “FULBRIGHT FOREIGN STUDENT 2023”

26 Korrik, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, priti në takim disa nga studentet përfituese të bursës nga Programi “Fulbright Foreign Student 2023”, të cilat po përgatiten të fillojnë studimet Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes këtij programi të shkëmbimit akademik, studentët të cilët kanë përfituar bursa do të ndjekin studimet master në ShBA në fushat e psikologjisë, juridikut, veterinarisë, gazetarisë, biznesit dhe neuromarketingut.

Ministrja Nagavci i përgëzoi studentet për këtë sukses, duke theksuar mbështetjen e plotë Ministrisë së Arsimit, si bashkëfinancuese e bursave.

Ministrja Nagavci tha se e gëzon fakti që pas dy vitesh studimi këta studente do të kthehen si profesioniste, dhe me nivelin e tyre arsimor do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Nagavci theksoi se Qeveria e Kosovës ka dyfishuar fondet për mbështetjen e programit, duke qenë se Programi Fulbright ka reputacion të lartë, dhe përfitimi që do të ketë Kosova duke arsimuar të rinjtë e të rejat në universitete prestigjioze amerikane është i sigurt.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, krahas fokusit në ngritjen e cilësisë në arsim, Qeveria do të vazhdojë të mbështesë programe të rëndësishme për avancimin profesional të studentëve tanë.

Ndërsa, studentet thanë se qëllimi i tyre është që të jenë frymëzim për të rinjtë dhe me përvojën e përfituar të sjellin ndryshime në institucionet e Kosovës.

Last modified: 26 Korrik, 2023

Comments are closed.