MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI NË TAKIM DREJTORESHËN E KORPUSIT TË PAQES NË KOSOVË

30 Shtator, 2021

30 Shtator 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur sot në takim drejtoreshën e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda, me të cilën ka biseduar për gjendjen në arsim dhe vështirësitë që ka shkaktuar pandemia Covid-19, si dhe për bashkëpunimin shumëvjeçarë në arsim me Korpusin e Paqes.

Ministrja Nagavci ka falënderuar znj. Siganda për angazhimin e vullnetarëve të Korpusit dhe kontributin e tyre të dhënë ndër vite në avancimin e cilësisë së procesit edukativo-arsimor në shkolla, me theks të veçantë të mësimit të gjuhës angleze.

Ministrja Nagavci, theksoi gatishmërinë e saj dhe të MAShTI për të thelluar bashkëpunimin meqë vlerësoi se, ky bashkëpunim ka dhënë rezultate jashtëzakonisht të mira deri më tani.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda, ka folur për aktivitetet e vullnetarëve dhe përvojën e mirë të tyre në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e madhe të Ministrisë së Arsimit, për të cilën ka thënë se vlerësohet shumë nga Zyra e Korpusit të Paqes në Uashington.

Drejtoresha Siganda theksoi edhe vështirësitë që ka shkaktuar pandemia në realizimin e projekteve, megjithatë tha se ato do të vazhdojnë për të promovuar paqe dhe miqësi në botë, që është edhe qëllim i Korpusit të Paqes.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.