MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI AMBASADOREN E FINLANDËS NË KOSOVË DHE NXËNËSEN VIONA KRASNIQI

21 Maj, 2021

Nxënësja e klasës së 10-të në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, Viona Krasniqi, është fituese e konkursit të vizatimit me temë “Çfarë ju bën të lumtur”, të organizuar nga Ambasada e Finlandës në Kosovë.

Nxënësen, e cila vitin e kaluar kur aplikoi në konkurs po vijonte mësimin në ShFMU “Pavarësia”, e ka shoqëruar ambasadorja e Finlandës, Pia Stjernvall dhe së bashku i ka pritur sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci ka falënderuar ambasadoren Stjernvall për mbështetjen  e vazhdueshme të shtetit të saj për arsimin në Kosovë, por edhe për përkrahjen dhe nxitjen e nxënësve për të marrë pjesë në aktivitete e konkurse si ky.

Ambasadorja Stjernvall, ndër të tjera, shprehu kënaqësinë e saj për mundësinë që iu është dhënë nxënësve për të shprehur dëshirat e tyre përmes vizatimit, ndërsa tha se do të vazhdojnë ta mbështesin arsimin në Kosovë.

Ministrja Nagavci ndërkaq e përgëzoi nxënësen Krasniqi për çmimin e fituar dhe tha se shprehja e dëshirave të nxënësve edhe përmes artit, është obligim për institucionet që të punojnë dhe t’iu përgjigjen dëshirave dhe kërkesave të fëmijëve.

Ministrja, po ashtu, iu është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të nxënëses Krasniqi në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet për të siguruar cilësi në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe mundësitë që ofron Ministria për zhvillimin profesional të nxënësve.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.