MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË KONFERENCËN PËR RININË 2022 ME MOTON “DREJT NJË POLITIKE KOMBËTARE”

22 Nëntor, 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministra e zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore kanë marrë pjesë në Konferencën për Rininë 2022, e cila është organizuar për herë të parë nga Ministria e Kulturës me moton “Drejt një politike kombëtare”.

Me qëllim të promovimit të dialogut me të rinjtë, kjo konferencë i ka bërë bashkë 200 të rinj dhe të reja me ministrat, deputetët dhe akterët e tjerë të sektorit rinor për të ndarë arritjet, sfidat dhe objektivat e Qeverisë karshi rinisë dhe për t’i inkurajuar ata për pjesëmarrje aktive në të gjitha sferat e jetës.

Në panelin “Qeveria për të rinjtë”, ministrja Nagavci ka folur për zhvillimin e sektorit të arsimit dhe për politikat  që janë realizuar dhe do të realizohen në dobi të të rinjve.

Me këtë rast, ministrja theksoi se në ekonominë bashkëkohore, arsimi është parakusht themelor për rritje ekonomike dhe përmirësim të standardit të jetesës, ndërsa tha se vullneti dhe guximi i vajzave dhe djemve të Kosovës dhe gjithë energjia e tyre ka rëndësi ekzistenciale për vendin tonë.

Ministrja tha se Ministria e Arsimit është e përkushtuar të ofrojë ndihmën dhe mekanizmat që të ngritet cilësia në sistemin e arsimit në Kosovë dhe të jetë i krahasueshëm me ato të vendeve të Evropës. Ajo tha se përmirësimi i cilësisë dhe reforma në arsimin e lartë është në qendër të vëmendjes së Qeverisë dhe një nga 5 objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 2022-2026.

Në arsimin e lartë, ministrja tha se, fokusi është tek përmirësimi i cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë, ndërsa përmendi disa nga veprimet që janë ndërmarrë ne këtë drejtim dhe shumë të tjera që janë në proces.

Po ashtu, ministrja Nagavci foli edhe për veprimet konkrete që janë ndërmarrë në arsimin dhe aftësimin profesional dhe përafrimin e tij me nevojat e tregut të punës, si dhe fillimin e pilotimit të arsimit dual në 4 profile.

Ndër të tjera, Nagavci foli edhe për nevojën e investimit shumëdimensional në përmirësim të rezultateve dhe të cilësisë në arsim, përmirësimin e infrastrukturës ligjore e fizike dhe përmendi rritjen e buxhetit për arsim, me qëllim që të zbatohen këto politika.

Last modified: 23 Nëntor, 2022