MASHT

JAVA KUNDËR BRAKTISJES SË SHKOLLIMIT

20 Nëntor, 2022

Me rastin e përvjetorit të Konventës për të drejtat e fëmijës, MASHTI e nis Javën kundër braktisjes së shkollimit, si fushatë ndërgjegjësuese për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit të shkollës, si ndërmarrje për të siguruar të drejtën e arsimit për të gjithë qytetarët, pa dallim gjinie, etnie, aftësie e gjendje tjetër.

Barrierat e natyrave të ndryshme brenda sistemit arsimor, sidomos ato të qasjes në arsim, ndërlidhur me faktorët e shumtë individualë, familjarë, shoqërorë me kontekste të ndryshme sociale, ekonomike, shëndetësore e kulturore, kërkojnë qasje multidisiplinare, prandaj në linjë me legjislacionin në fuqi janë themeluar Ekipet për parandalim dhe Reagim ndaj Braktisjes dhe Mosregjistrimit të shkollës (EPRBM), në nivel shkollash, komunash dhe në nivel të ministrisë.

Ekipi në nivel nacional që udhëhiqet nga MASHTI, bashkë me partnerët zhvillimorë (UNICEF, ECMI, OSBE, ILO, etj.), ka hartuar politikat kundër braktisjes, dhe ofron mbështetje për ekipet komunale dhe shkollore në zbatimin e tyre. Janë udhëzimet e qarta për mënyrën e funksionimit të këtyre ekipeve dhe gjithë sistemi është i integruar në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim.

Kësaj Jave i kanë paraprirë vizitat e shumta në komuna dhe shkolla, seanca kundër braktisjes dhe dhunës, ndërkaq nga data 20-25 do të mbahen tryeza diskutimi multidisiplinare në pesë rajone, me ç`rast do të shpërndahet broshura promovuese dhe sensibilizuese kundër braktisjes. Në përmbyllje të Javës, do të shpërblehen shkollat që raportojnë me rregull për rastet në rrezik të braktisjes dhe ato të dhunës në shkolla.

Për një parandalim dhe reagim efikas ndaj braktisjes dhe dhunës, kërkohet bashkëveprim i mësimdhënësve me prindër dhe i shërbimeve tjera komunale, përfshirë dhe shoqërinë civile.

Së bashku për të drejtën për arsim për të gjithë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë!

Last modified: 20 Nëntor, 2022

Comments are closed.