MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË FILLIMIN E KONFERENCËS “SFIDAT DHE PERSPEKTIVA E BASHKËPUNIMIT EKONOMIK KOSOVË-SHQIPËRI DHE RAJON”

6 Tetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Artëve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë.

Me këtë rast, ministrja Nagavci përshëndeti fillimin e punimeve të kësaj konference dhe theksoi se prania e personaliteteve të spikatura nga fushat e akademisë, ekonomisë, financave, turizmit, integrimit evropian etj. nga Kosova, rajoni dhe bota është tregues i punës së madhe që bëhet në Republikën e Kosovës për promovimin e zhvillimit ekonomik në mënyra optimale.

Ministrja tha se duke qenë se ndajmë një gjuhë, një gjeografi dhe histori të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria natyrshëm janë dy ekonomi me sfida të ngjashme, e me perspektiva jo shumë të ndryshme. “E kur sfidat janë të ngjashme, mënyra më e mirë për t’i bërë ballë është duke punuar së bashku”, theksoi ajo.

Duke folur për bashkëpunimin mes dy vendeve, ministrja Nagavci e përmendi si pjesë të pandashme të punës konsolidimin dhe forcimi i vazhdueshëm të bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Sistemi arsimor është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të ekonomisë së një vendi. Këtu, aq sa mësojmë nga praktikat e mira të vendeve më të zhvilluara, aq edhe e ndihmojmë njëri-tjetrin me mënyra të ndryshme”, tha ministrja, ndërsa theksoi se në këtë kuadër, Ministria e Arsimit ka ndërmarrë një varg nismash e marrëveshjesh të përbashkëta me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi edhe marrëveshjen e dyanshme për mbështetjen e projekteve të përbashkëta shkencore, me një vizion të përbashkët për avancim akademik.

Po ashtu, përmendi edhe shumë veprime konkrete në fushën e arsimit, me qëllim të përmbushjes së kërkesave të tregut të punës dhe për fuqizimin e ekonomisë së vendit.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se Konferenca të tilla janë platforma të shkëlqyera, jo vetëm për ndarje përvojash dhe rrjetëzim, por edhe për reflektim dhe identifikim të mënyrave kreative dhe të dobishme për bashkëpunime të reja.

Last modified: 6 Tetor, 2023

Comments are closed.