MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË DY AKTIVITETE SHKOLLORE NË SUHAREKË DHE NË GJAKOVË

5 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në dy aktivitete shkollore, në shkollën “Skënder Luarasi” në Suharekë, si dhe në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë.

Në shkollën “Skënder Luarasi”, u shënua dita e shkollës, me ç’rast u bë edhe inaugurimi i pajisjeve të dorëzuara nga projekti LuxDev për këtë institucion të arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe salla e Edukatës Fizike.

Ministrja Nagavci, me këtë rast, shprehu kënaqësinë që përveç shënimit të ditës së shkollës, po përurohen edhe kabinetet për katër profile, të cilat do të ndihmojnë nxënësit që të arrijnë shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës.

Ministrja po ashtu përgëzoi stafin menaxhues, mësimdhënësit e nxënësit e shkollës për punën e madhe që kanë bërë dhe për rezultatet e sukseset që ka arritur kjo shkollë, ndërsa uroi që të vazhdojnë me suksese të reja.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, falënderoi minstren për vizitën dhe përfaqësuesit e projektit për investimet, ndërsa foli edhe për projekte të tjera të infrastrukturës shkollore.

Ministrja Nagavci, gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e shënimit të festës së shkollës “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku tha se rezultatet në këtë shkollë vazhdojnë të jenë të dëshmuara çdo ditë e më shumë.

Ministrja tha se nuk është aty vetëm për të vlerësuar punën e mirë që bëhet, por edhe për të treguar përkushtimin e Ministrisë për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira në arsim, me ç’rast përmendi edhe mbështetjen në zgjerimin e Sallës së Edukatës Fizike për këtë shkollë.

Ndërkaq, drejtori i arsimit në Komunën e Gjakovës, Muhamet Ilazi uroi suksese në dije për nxënësit dhe punë të palodhshme për mësimdhënësit e shkollës dhe gjithë komunës së Gjakovës.

Last modified: 5 Maj, 2023

Comments are closed.