MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË CEREMONINË E DHËNIES SË BETIMIT TË GRUPIT TË TETË TË VULLNETARËVE TË KORPUSIT TË PAQES

20 Dhjetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e dhënies së betimit të 17 vullnetarëve amerikanë të grupit të tetë të Korpusit të Paqes në Kosovë, të cilët do të shërbejnë për gjatë dy viteve të ardhshme, disa si mësimdhënës të gjuhës angeleze dhe të tjerët si mbështetës në komuna.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se vullnetarët e Korpusit të Paqes janë humanistët e shekullit tonë dhe atij të kaluar, kontributi i të cilëve shtrihet në dhjetëra vende të botës, mes tyre edhe në Kosovë, ku nga viti në vit ai ka përfshirë edhe fushën e arsimit.

Duke folur për përmirësimin e cilësisë në arsim, si një nga prioritetet e Qeverisë, ministrja Nagavci tha se, Ministria e Arsimit ka miratuar politika dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për zhvillimin profesional të mësimdhënësve në të gjitha shkollat e vendit, duke ditur se mësimdhënësit luajn rol kyç në mësimet tona gjatë jetës.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se, Kosova ka mirëpritur mbi 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes, nga viti 2014 kur erdhën vullnetarët e parë, për të cilët shkollat dhe familjet tona kanë hapur dyert, dhe kanë punuar e jetuar së bashku.

Mirënjohje të thellë për kontributin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, ka shprehur edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila tha se, Kosova është vend me një divergjencë kulturore, andaj ceremoni si kjo nuk janë vetëm mbledhje formale, por edhe mundësi që të gëzohet aleanca në mes të Kosovës dhe Amerikës.

Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier dhe drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda falënderuan komunat të cilat kanë mirëpritur vullnetarët e rinjë, puna e të cilëve synon të rrisë paqen dhe miqësinë në botë.

Last modified: 20 Dhjetor, 2023

Comments are closed.