MASHT

MINISTRJA NAGAVCI: KOSOVA KA POTENCIAL TË JASHTËZAKONSHËM PËR TË ECUR NË HAP ME SHOQËRITË MË TË PËRPARUARA

26 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci po qëndron për vizitë zyrtare në Selanik të Greqisë, ku është ftuar si folëse kryesore në Dialogun e Lidershipit të Evropës Juglindore, i cili zhvillohet në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare BEYOND 2023.

Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, në këtë Dialog me pjesëmarrës të nivelit të lartë nga politikëbërës dhe sipërmarrës nga rajoni po diskutohet rreth çështjeve akute që na shqetësojnë dhe na bashkojnë, si teknologjia, inovacioni, siguria në internet, e në veçanti rëndësia e edukimit të duhur të rinisë për shfrytëzimin efikas dhe edukativ të burimeve dixhitale në dispozicion.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj në panelin me temë “Si të Shtrojmë Rrugën drejt Kompaktësisë Dixhitale në Rajonin e Ballkanit Perëndimor” ka folur për punën e madhe që po bënë Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës drejt avancimit të jetës së qytetarëve në epokën dixhitale.

Nagavci ka theksuar se, Kosova si shteti me popullsinë më të re në Evropë dhe me 100 % të territorit të mbuluar me internet ka potencial të jashtëzakonshëm për të ecur në hap me shoqëritë më të përparuara.

Ndër të tjera, Nagavci ka vënë theksin edhe te rëndësia e bashkëpunimit rajonal në fushën e edukimit, teknologjisë informative, dixhitalizimit të shërbimeve, sigurisë kibernetike etj.

Ministrja Nagavci gjithashtu ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Greqisë është i mirëseardhur, meqenëse përvojat e ndara dhe praktikat e mira janë më efektive dhe të dobishme kur realizohen bashkërisht.

Last modified: 26 Maj, 2023

Comments are closed.