MASHT

Ministrja Nagavci ka marrë pjesë në seminarin “Të gjithë bashkë për jetësimin e identitetit shqiptar ndërmjet gjuhës dhe kulturës”

4 Nëntor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në seminarin “Të gjithë bashkë për jetësimin e identitetit shqiptar ndërmjet gjuhës dhe kulturës”, i cili është organizuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konsolidimin e pozicionit të Diasporës shqiptare, me fokus të veçantë tek arsimi dhe edukimi.

“Gjuha amtare është ndër tiparet më të theksuara të prejardhjes së përbashkët dhe kulturës kolektive të një populli. Le ta mbrojmë Gjuhën Shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak, dhe çdo vit më shumë”, ka thënë ministrja Nagavci.

Ministrja Nagavci ka rikujtuar se, në kuadër të veprimeve të cilat janë ndërmarrë e të cilat kanë për qëllim ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare janë: hartimi i teksteve të gjuhës për mësimin e shqipes në Diasporë, krijimi i platformave për bashkëpunimin e hulumtuesve shqiptarë gjithandej, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, hartimi dhe vënia në përdorim e teksteve të Nivelit I dhe II për Diasporën, si dhe përgatitja e tekstit të Nivelit III.

Në seminarin e mbajtur në Itali, pjesëmarrës ishin: mësues, përfaqësues të shoqatave, bizneseve e institucioneve, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe diskutuan planet për të ardhmen, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar shqiptar.

Last modified: 4 Nëntor, 2024