MASHT

Është përuruar Salla e edukatës fizike në ShFMU “Mazllum Këpuska” në Gjakovë

6 Nëntor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shekncës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi dhe drejtori i shkollës, Arbnor Pozhegu kanë përuruar Sallën e edukatës fizike në ShFMU “Mazllum Këpuska” në Gjakovë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për inaugurimin e kësaj hapësire ku do të zhvillohen aktivitete fizike dhe sportive të nxënësve, të cilat janë pjesë e rëndësishme e procesit mësimor, duke theksuar se, salla është ndërtuar në kohë rekord dhe me të gjitha ambientet e nevojshme që duhet të ketë një sallë sportive moderne me standarde bashkohore.

“Shëndeti i mirë fizik është themeli i mirëqenies së tërësishme të njeriut, baza e individit të shëndoshë në trup e në mendje, dhe garancia më e mirë për formësimin e së ardhmes në vendin tonë. Për këtë qëllim, përmirësimi i infrastrukturës shkollore ka qenë prioritet i yni që nga marrja e mandatit të Qeverisë në vitin 2021”, ka thënë ministrja Nagavci.

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se, gjatë këtyre viteve janë bërë investime të mëdha në ndërtimin dhe adaptimin e shkollave, çerdheve, sallave sportive, laboratoreve dhe të gjitha ambienteve shkollore, duke shtuar se, këto janë procese të cilat vazhdojnë të zhvillohen dhe nuk do të ndalen deri në finalizimin e tyre të suksesshëm, në të mirë të fëmijëve tanë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka thënë se, arsimi parauniversitar kërkon kujdes të veçantë dhe veprime institucionale të mirë-fokusuara, sepse në këtë periudhë fëmijët marrin bazat e formimit fizik, intelektual, akademik e profesional për të ardhmen e tyre.

Në këtë drejtim, ministrja Nagavci ka rikujtuar se, përveç infrastrukturës, është punuar edhe në procesin e rishikimit të teksteve mësimore të Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasët 1-9, dhe është miratuar Rregullorja për përzgjedhjen e stafit arsimor, duke vendosur një standard cilësisht më të lartë të rekrutimit të personelit arsimor.

Ndërtimi i Sallës së edukatës fizike në ShFMU “Mazllum Këpuska Gjakovë” dhe furnizimi me pako sportive ka kushtuar rreth 300 mijë euro. Objekti i Sallës ka sipërfaqe rreth 400m². Përmbanë hapesirën e lojës 270m², ndërsa pjesa tjetër është hapesirë përcjellëse.

Last modified: 7 Nëntor, 2024