MASHT

MINISTRJA NAGAVCI IU BËRI THIRRJE TË GJITHË AKTERËVE TË PËRFSHIRË NË PROCESIN MËSIMOR QË TË ANGAZHOHEN NË MËSIMNXËNIE

12 Prill, 2021

12 Prill 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci në konferencën e sotme për media ka folur për fillimin e periudhës së tretë të vitit shkollor 2020/2021, si dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Ministrja Nagavci ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në procesin mësimor që të angazhohen maksimalisht, në mënyrë që krahas ruajtjes së shëndetit publik të kujdesemi që fëmijët tanë të kenë sa më pak pasoja në mësimnxenie, nga situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministrja theksoi se, nga raportet që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Kosovës, përveç në shkollën e fshatit Gushavc të Mitrovicës ku për shkak të ndërtimit të objektit të ri mësimi sot është mbajtur sipas skenarit C.

Ministrja Nagavci, po ashtu bëri të ditur se, është bërë dezinfektimi i shkollave sipas kërkesës e cila është parashtruar në mbledhjen e mbajtur më 7 prill me drejtorët e DKA-ve, ndërsa shtoi se MAShTI ka marrë të gjitha masat që të ofrojë qasje në mësimin online për të gjithë nxënësit, përfshirë prezantimin e njësive mësimore përmes televizionit publik.

Ndryshe, mësimi me prezencë fizike ka filluar për nivelin parashkollor dhe klasat 1-5, ndërsa klasat 6-9 dhe 10-12 këtë javë do të zhvillojnë procesin mësimor online. Ndërsa, gjatë kësaj jave do të shqyrtohet situata pandemike me të gjithë akterët, në mënyrë që të merret vendim lidhur me mënyrën se si do të vazhdohet procesi mësimor nga java e ardhshme.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.