MASHT

MINISTRJA NAGAVCI: DO TË RRISIM HOVSHËM INFRASTRUKTURËN DHE DO TË MBAJMË PREMTIMIN E DHËNË PËR NDËRTIMIN E ÇERDHEVE

13 Prill, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se deri më tani është realizuar 24 përqind e premtimit për 160 çerdhe, ndërsa ka theksuar synimin e Qeverisë që deri në fund të mandatit të realizohet plotësisht ky premtim madhor.

Në një konferencë për medie, ministrja Nagavci ka folur për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, me ç’rast si një nga veprimet e para në këtë drejtim ka përmendur finalizimin e Ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Ndërkaq, duke folur për zgjerimin e infrastrukturës fizike, ministrja Nagavci ka theksuar se ndërtimin e çerdheve e kemi fokusuar në tri drejtime: ndërtimin e çerdheve të reja në vendet ku kemi lokacionet dhe aspektet tjera formale të dërguara nga ana e komunave, adaptimin e objekteve ekzistuese në çerdhe të reja dhe ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara si model i ri.

“Këtu duhet të përmend se çerdhet e parafabrikuara janë trend gjithnjë e në rritje në botë, sepse janë në kuadër të Agjendës së gjelbërt, pra shkurtojnë dukshëm kohën e ndërtimit nga rreth 2 vite në 4 muaj”, tha ajo.

Ministrja Nagavci tha se, për dy vite qeverisje janë përfunduar 4 çerdhe të reja, në proces është ndërtimi i 19 çerdheve, e po ashtu në proces janë 5 adaptime nga shkolla në kopshte. Ndërkaq, ajo theksoi se në planifikim e sipër është edhe ndërtimi i 17 çerdheve, kurse projektet nga IPA II të kontraktuara nga BE janë në 6 komuna.

“Investimet tona po bëhen bazuar në evidencë dhe efektive ku fillimisht kemi zhvilluar dy procese me rëndësi në bashkëpunim me ekspertizat vendore e ndërkombëtare të partnerit tonë strategjik UNICEF”, tha ministrja Nagavci, ndërsa theksoi se procesi i parë është zhvillimi i instrumentit projektues, i cili mundëson vendimarrje të bazuar në të dhëna valide, komplekse dhe gjithëpërfshirëse dhe tjetri është finalizimi i studimit të fizibilitetit për çerdhet e parafabrikuara, modele që janë trend gjithnjë e në rritje në botë.

Në linjë me këtë, tha ministrja, na duhet bashkëpunim me komunat që të na i dërgojnë të gjitha të dhënat.

“Ftoj komunat për bashkëpunim në mënyrë që të gjithë fëmijëve të ju ofrohet qasje në edukimin e hershëm sepse kjo është faza me e rëndësishme për formimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi takime me kryetarë të komunave dhe drejtorë komunalë të arsimit që të intensifikojmë bashkëpunimin në këtë drejtim”.

Ministrja tha se sot pritet të publikohet në E-prokurimi shpallja për angazhimin e kompanisë projektuese që do të bëjë projektimin për çerdhet e parafabrikuara dhe ftoi kompanitë e interesuara që të bëhen pjesë e këtij procesi. Ndërsa, ajo theksoi se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin edhe të 4 çerdheve në Prizren, Deçan, Viti dhe Obiliq.

“Me zhvillimin e modelit të projeksioneve të bazuar në evidencë dhe ofrimin e çerdheve modulare si alternativë shumë më e shpejtë e me kosto efektive, jemi të sigurtë se do të rrisim hovshëm infrastrukturën dhe do të mbajmë premtimin e dhënë”, tha në fund ministrja Nagavci.

Last modified: 13 Prill, 2023

Comments are closed.