MASHT

MINISTRET E ARSIMIT TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË NËNSHKRUAN PROGRAMIN E FINANCIMIT TË PROJEKTEVE TË PËRBASHKËTA TË KËRKIMIT SHKENCOR

15 Prill, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar sot Programin e punës në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit shkencor mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Qëllimi i Programit është financimi i projekteve të përbashkëta kërkimore për të nxitur bashkëpunimin në aktivitete të kërkimit shkencor mes institucioneve kërkimore-shkencore dhe komuniteteve shkencore të të dyja vendeve. Programi synon gjithashtu sigurimin e një mundësie për hulumtuesit/punonjësit shkencorë për të bashkëpunuar në një mjedis ndërkombëtar dhe për të zhvilluar karrierën e tyre shkencore, duke siguruar pjesëmarrjen e kërkuesve të rinj dhe barazinë gjinore në kërkim shkencor.

Ministrja Nagavci, me këtë rast, përmendi bashkëpunimin e suksesshëm me Shqipërinë që solli lansimin e Abetares së parë unike kombëtare vitin e kaluar, si dhe bashkëpunimeve të tjera të realizuara dhe në proces, ndërsa theksoi se sot çojmë një hap më tej bashkëpunimin e nisur vite më parë, duke u zotuar për mbështetje të shtuar të projekteve shkencore të ndërmarra bashkërisht nga kërkuesit e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot zgjeron hapësirën e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shtuar numrin e projekteve që do të mbështeten në 16, dhe duke ofruar më shumë mbështetje financiare, me 20 mijë euro për secilin projekt fitues, që zgjat 2 vite dhe mbulohet në mënyrë të barabartë nga dy ministritë tona të Arsimit”, tha ministrja Nagavci.

Ndërkaq, ministrja Kushi shprehu besimin e saj se këto projekte do të ndihmojnë për t’i dhënë një zë të fuqishëm kërkuesve tanë, studiuesve tanë, në përgjigjie të problematikave që shqetësojnë shoqërinë tonë.

“Por, mbi të gjitha, do të jetë një mundësi shumë e mirë për të intensifikuar bashkëpunimin mes kërkuesve tanë, por edhe mes universiteteve tona, qendrave kërkimore shkencore”, tha ministrja Kushi.

Marrëveshja e sotme specifikon disiplinat shkencore të cilat janë me interes për dy vendet tona, si shëndeti, shkencat humane e albanologjike, burimet natyrore, ndryshimet klimatike, etj.

Thirrja për aplikim me projekte do të shpallet publikisht më 24 prill, ku do të kenë mundësi të aplikojnë me projekte të përbashkëta hulumtues dhe punonjës shkencorë nga dy anët e kufirit shqiptar.

Projektet do të përzgjidhen në tetor 2023, dhe do të nisin implementimin në janar 2024.

Last modified: 15 Prill, 2023

Comments are closed.