29 Tetor 2021
Në vazhdim të vizitës zyrtare në Iowa (ShBA), ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrja, Edona Maloku Bërdyna, kanë takuar përfaqësues të disa universiteve e kolegjeve në këtë shtet, për të parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me Kosovën.
Ato u pritën nga drejtues të kolegjit komunitar Hawkeye, i shquar për profilin e tij në agrokulturë dhe drejtime profesionale, për të cilat u shqyrtuan opsionet e këmbimit të studentëve ndërmjet Kosovës dhe Iowas.
Ministrja dhe Zëvendësministrja takuan edhe drejtues dhe profesorë të Universitetit Verior të Iowas (UNI), me të cilët diskutuan për kontributin që mund të japin në fushën e arsimit, sidomos sa i përket zhvillimit profesional të mësimdhënësve, bashkëpunimit në fushat STEM dhe shqyrtimit të diplomave duale.
Ministrja Nagavci foli për rëndësinë që ka arsimi dhe aftësimi profesional, derisa shtoi se zhvillimi profesional e ngritja e cilësisë së arsimit në përgjithësi, janë prioritete për MAShTI-n.
Ministrja Nagavci dhe zëvëndësministrja Maloku Bërdyna u mirëpritën edhe në Universitetin e Iowas, ku përveç takimeve me drejtues të institucionit dhe stafin akademik, patën rastin të vizitojnë edhe dy qendra që punojnë me grupe specifike: Qendrën Belin-Blank, e cila punon më fëmijë me dhunti e talente, dhe programin “UI Përfshij” (UI Reach), që punon më fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta.
Me këtë rast, zëvendësministrja Maloku Bërdyna tha se MAShTI është e përkushtuar për arsim gjithëpërfshirës dhe po punon që të ndihmojë në identifikimin, qasjen dhe përmirësimin e arsimit për të gjithë fëmijët.
Vizita në Kolegjin Komunitar, Des Moines shënoi edhe përmbylljen e vizitës zyrtare. Kolegji, që ishte nikoqir i shkollimit të 28 studenteve nga Kosova në fushën e energjisë, ka shprehur përkushtimin që të ofrojë mundësi të reja për studentët nga Kosova, sidomos në fushat STEM.
Ministrja Nagavci dhe zëvendësministrja Maloku Bërdyna kanë falenderuar të gjitha universitetet, kolegjet dhe shkollat për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar për bashkëpunim në fushën e arsimit.
Last modified: 7 Qershor, 2022