Ka filluar punimet seminari treditorë për finalizimin e dokumentit Korniza e Kurrikulumit të Kosoves, përkatësisht Draftit Kosova Shtet i Dijes: Zhvillimi i Kompetencave për Shekullin 21.
Hartimi i këtij dokumenti ka filluar ne vitin 2009 për çka është caktuar Këshilli Shtetëror i Kurrikulumit të Kosvës, Ekipi Teknik dhe grupet bazë punuese për nivele, të cilat gjatë këtyre ditëve do të rishikojnë draftin e 4 – të të Kornizës, për t`ia dhënë kështu formën finale draftit të Kurrikulumit të Ri të Kosovës.
Në fjalën e hapjes, zëvendësministri arsimit, Nehat Mustafa, ndër tjera tha se “jemi këtu të punojmë drejt finalizimit të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit, jemi këtu pra për të debatuar një dokument shumë të rëndësishëm i cili në fakt është nje kushtetutë për Sistemin e Arsimit të Republikës së Kosovës.
Korniza e Kurrikulumit, i jep kahje dhe orientim zhvillimit të sistemit arsimor të Kosovës. Ajo është synim i zhvillimit të shtetit si në aspektin nacional, demokratik dhe shoqëror ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik. Dokumenti, synon sigurimin e një sistemi arsimor me cilësi më të lartë, krijimi i një sistemi funksional për sigurimin e cilësisë së të nxënit të bazuar në standarde të krahasuara me vendet e zhvilluara”, theksoi z. Mustafa.
Në vazhdim ai tha se “Korniza e Kurrikulumit synon një shkollë që i plotëson kërkesat individuale të fëmijëve dhe nevojat e zhvillimit të shoqërisë moderne Kosovare dhe si e tillë ka nje rol qenësor në promovimin e vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mësim gjatë gjithë jetës”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti Ramë Vataj, anëtarë i grupit parlamentar për arsim në Qeverinë e Kosovës si dhe znj. Aferdita Spahiu përfaqësuese e UNICEF-it që njherësh është njëra ndër mbështetësit kryesor financiar të këtij dokumenti.
Në këtë punëtori po marrin pjesë zyrtarë të MASHT, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, të SBASHK-ut, të DKA -ve, mësimdhënës dhe përfaqësues tjerë të shkollave të përzgjedhura për pilotim.
Last modified: 29 Gusht, 2022