MASHT

Ministria e Arsimit funksionalizon këshillin për programet dhe tekstet shkollore

2 Tetor, 2015

Ka filluar punën Këshilli i Ekspertëve për Programet dhe Tekstet Shkollore në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. 

Detyrat e këtij Këshilli, të krijuar për herë të parë nga MASHT-i, përfshijnë planifikimin e procesit të përgatitjes së teksteve të reja shkollore bazuar në programet kurrikurale për klasë dhe lëndë të caktuara, mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve për tekste shkollore nga autorët e teksteve dhe shtëpitë botuese, autorizimin e grupeve punuese për rishikimin e teksteve aktuale shkollore, duke i krahasuar me standardet për tekstet shkollore. 

Pastaj, detyrat e tij do të përfshijnë edhe mbështetjen e planit dhe programit të trajnimeve për autorët e teksteve shkollore dhe shtëpive botuese, themelimin e ekipeve të recensentëve për lëndë e fusha të caktuara kurrikurale dhe shqyrtimin e aprovimin e raporteve të tyre. 
Gjithashtu, edhe krijimi i mekanizmave për mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave nga shkollat apo komunat lidhur me cilësinë e teksteve shkollore, për identifikimin e mangësive eventuale të teksteve dhe nevojën e tyre për përmirësim do të jenë detyra të këtij Këshilli, por edhe shqyrtimi dhe aprovimi i raporteve nga shtëpitë botuese për t’u siguruar se tekstet janë përmirësuar sipas kërkesave dhe propozimeve të dëshmuara me fakte nga shkollat.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka vlerësuar të domosdoshëm themelimin e një këshilli të kësaj natyre për rishikimin e teksteve shkollore, sepse në tekstet shkollore mbështetet i tërë procesi i mësimdhënies dhe prej tyre sigurohet cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Tekstet ekzistuese përdoren që dhjetë vjet nëpër shkolla dhe ato tashmë do të rishikohen nga shumë aspekte të ndryshme. Gjithashtu, do të analizohet ana përmbajtësore e tyre, aktualiteti i përmbajtjes, saktësia faktike dhe aspekti pedagogjik/didaktik. Pra, përgjithësisht prej këtij këshilli do të rishikohet pajtueshmëria me Kornizën Kurrikulare të Republikës së Kosovës dhe pajtueshmëria me standardet për tekstet shkollore.

Këshilli i Ekspertëve për Programet dhe Tekstet Shkollore, i cili sipas vendimit nr. 217/01B të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, për kryetare do të ketë zëvendësministren e MASHT-it, Anila Statovci-Demaj, do të punojë sipas planit të punës dhe gjithashtu do të thërras edhe grupe ekspertësh për fusha të veçanta.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.