MASHT

MINISTRI LIKAJ VIZITOI DY SHKOLLA NË KRYEQYTET PËR TË PARË NGA AFËR PËRGATITJET PËR FILLIMIN E VITIT SHKOLLOR 2020/2021

2 Shtator, 2020

02 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, bashkë me drejtoreshën e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala dhe drejtuesit e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe Ymer Ymeri, kanë vizituar sot shkollën “Xhemajl Mustafa” dhe shkollën “Pjetër Bogdani” të kryeqytetit.

Vizita në shkolla është realizuar në mënyrë të rastësishme, për të parë nga afër se si janë duke shkuar përgatitjet për fillimin e procesit mësimor në rrethana pandemie.

Ministri Likaj, gjatë kësaj vizite është shprehur i gatshëm për një fillim të mbarë të vitit shkollor më 14 shtator 2020 dhe për këtë ka thënë se do të diskutohet edhe në takimin i cili do të mbahet nesër me DKA-të, SBAShK-un dhe Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Ministri Likaj, po ashtu ka vlerësuar se, nga vizitat e realizuara në shumë shkolla, në tridhjetë komuna të Republikës së Kosovës, ka parë se pjesa dërmuese e shkollave kanë bërë përgatitjet maksimale, sipas Udhëzuesit të hartuar nga MASh, së bashku me donatorët.

Ndër të tjera, ministri Likaj ka thënë se, shkollat do të kenë përkrahjen e plotë, sidomos në aspektin e pajisjeve me masa mbrojtëse për Covid-19, por edhe në aspektin e përmbajtjeve mësimore, jo vetëm nga DKA-të, Qeveria e Kosovës, por edhe me partnerët dhe donatorët.

Sa i përket bashkëpunimit me SBAShK-un, Këshillin e Prindërve dhe Kolegjiumin e DKA-ve, Ministri ka thënë se të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë duke u bërë në bashkërendim të plotë me të gjithë akterët e rëndësishëm.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.