MASHT

Ministri Buja përuron aneksin 9 klasësh të ShM “Sami Frashëri”

30 Nëntor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, së bashku me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, dhe Azza El Abd, u.d. Drejtoreshë e USAID-it në Kosovë, përuruan aneksin 9 klasësh dhe Sallën e Sporteve të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. 
Në këtë institucion arsimor aktualisht vijojnë mësimin 2.703 nxënës, ndërkaq mësimi zhvillohet në dy ndërrime.

Me këtë rast ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka falënderuar investuesit, Komunën e Prishtinës dhe USAID-in, si dhe ka uruar nxënësit për sukseset e dëshmuara ndër vite si dhe për hapësirën e re moderne shkollore.

Ministri Buja tha se Prishtina ka nevojë edhe për më shumë shkolla, andaj premtoi se “në fillim të vitit të ri kalendarik 2012 do të fillojmë një shkollë të re në Prishtinë, një shkollë që do të jetë model dhe që do të kushtojë 2 milionë euro, ku MAShT do të jetë investitori kryesor. Me këtë do të ulim ciklin e ndërrimeve, do të ndikojmë në rritjen e cilësisë arsimore”.
Ministri Buja ka falënderuar në veçanti USAID-in për investimet e bëra në ndërtim të shkollave dhe anekseve shkollore kudo në Kosovë, ku kanë përfituar 45 shkolla apo mbi 64 mijë nxënës.

Ai ka porositur nxënësit dhe mësimdhënësit që të vazhdojnë me sukseset , që ta ruajnë objektin e ri, për të shtuar se MAShT-i do të angazhohet në vazhdimësi për rritjen e cilësisë në arsim.

Të pranishmit i përshëndetën edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, dhe znj. Azza El Abd, u.d, Drejtoreshë e USAID-it në Kosovë .

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.