MASHT

Ministri Buja mori pjesë në konferencën “Dita Informative Erasmus +

12 Nëntor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, mori pjesë në konferencën “Dita Informative Erasmus +”, me ç’rast theksoi se institucionet e Arsimit të Lartë kanë fituar projekte deri më sot, duke llogaritur programin Tempus dhe tash Erasmus + 60, gjë që është inkurajuese për avancimin e arsimit të lartë, në aspektin cilësor dhe organizativ.

“Vitin e kaluar kemi fituar 11 programe dhe duhet veçuar dy prej tyre; që janë njëri për pavarësimin financiar të institucioneve të arsimit të lartë dhe tjetri për organizimin studentor në avancimin e mësimit dhe organizimit (është fjala për Unionin Studentor të Kosovës)”, është shprehur ministri Buja.

Ministri Buja tha se MAShT vazhdon të jetë shumë e interesuar që të ndihmojë institucionet e arsimit të lartë për të qenë aplikues të denjë me programe.

“Unë ju inkurajoj edhe sivjet që të jeni këmbëngluës, për të fituar këto projekte serioze, ashtu siç i kemi fituar edhe më parë. Kemi nevojë që kjo ndihmesë të na vijë në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi ministri Buja.

Christof Stock, nga Zyra e Bashkimit Evropian, inkurajoi institucionet e arsimit të lartë që të përfshihen në programit Erasmus +, si një mundësi e mirë për zhvillimin e shkathtësive relevante, për stafet dhe studentët.

Ndërsa, Helene Skikos nga Komisioni Evropian tha se ky mobilitet për Ballkanin do të ketë 20 për qind të këtij buxheti, andaj institucionet e arsimit të lartë duhet të aplikojnë në këtë program, sepse Kosova është pjesë e rëndësishme e botës. Skikos tha se pret me padurim bashkëpunimin me institucionet e arsimit te lartë në Kosovë, ndërkaq shtoi se duhet shfrytëzuar këto resurse në mënyrë të duhur.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.