MASHT

Ministri Buja mori pjesë në 50 vjetorin e diplomimit të normalistëve të gjeneratës 1956/1961

28 Maj, 2011

Normalistë të ish Shkollës Normale të Prishtinës, respektivisht të gjeneratës 1956/1961 të kësaj shkolle, kanë shënuar sot ceremoninë e 50 vjetorit të diplomimit të tyre. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili para normalistëve, të cilët tashmë janë rreth moshës 70 vjeqare, u shpreh shumë i kënaqur që gjendet në mesin e tyre.

Ministri Buja, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre si mësues gjatë tërë jetës, tha se Shkolla Normale ka qenë universitet i atëhershëm. “Ju keni bërë një punë kolosale, duke qenë transmetues të dijes për shumë gjënerata. Në mesin e këtyre gjeneratave kam qenë edhe unë, pra jam rritur me mësimet tuaja”, tha ministri, i cili iu uroi mësuesve të kësaj gjenerate, shëndet të mirë dhe qetësi në familjet e tyre, duke theksuar edhe një herë se mësuesit si ata, kanë bërë mrekulli në fushën e dijes.

Në mesin e këtyre ish normalistëve, ishte edhe profesori i tyre Rexhep Hoxhaj, që i takon gjeneratës së parë të normalistëve. Pasi ndau disa kujtime me të pranishmit, Hoxhaj tha se “po të vdisja e të ngjallesha përsëri, prap do të isha mësues”. Duke theksuar rëndësinë e punës së mësuesit, Hoxhaj tha se mësuesi i mirë është terapi, është shëndet.

Në emër të të diplomuarve të gjeneratës së tij, Adil Fetahu, theksoi se kjo gjeneratë kishte dy paralele me nga 60 nxënës, ndërsa gjatë ekzistimit të saj, kjo shkollë ka nxjerrë rreth 5 mijë mësues, të cilët kanë ushtruar profesionin e mësuesit në gjithë vendin.

Por, duke qenë se nga gjenerata e tyre nuk jetojmë më 37 shokë dhe 19 profesorë të tyre, u mbajt një minutë heshtje për t’i kujtuar. Ndërsa, u shpërnda edhe një monografi e përgatitur për gjeneratën e tyre.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.