MASHT

Ministri Buja ka marrë pjesë në seminarin “Eksperiencat e Shtojcës së Diplomës- HERE”

30 Nëntor, 2011

Zyra Nacionale e TEMPUS-it në Kosovë dhe Grupi i Ekspertëve për Reforma në Arsimin e Lartë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe përkrahjen e UNICA-s- Rrjetit të Universiteteve të Kryeqyteteve të Evropës kanë organizuar sot një seminar rreth “Eksperiencave të Shtojcës së Diplomës”.

Të pranishmit në senimar i ka përshendetur edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili ka uruar që ky këmbim i përvojave të shkojë më së miri dhe të përfundojë suksesshëm.

Ministri Buja ka potencuar se ky seminar, i cili do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, do të ndihmojë në realizmin e synimit, që diplomat e studentëve nga Kosova të jenë të barasvlefshme me diplomat e studentëve të Evropës dhe më gjerë.

Për më tepër, ministri ka shprehur bindjen e tij se Ligji i ri për Arsimin e Lartë do të ndihmojë edhe në avancimin e Udhëzimit Administrativ, i cili obligon lëshimin e shtojcës së Diplomës për të gjithë studentët.

“Udhëzimi Administrativ i kaluar ka pasur një defekt të vogël, sepse i ka kufizuar Bartësit e Arsimit të Lartë që ata të japin shtojca diplome vetëm atëherë kur kërkonin studentët e caktuar për nevojat që ata e ndjenin që t’i kenë për të ecur më tutje në arsimimin e tyre. Është e vërtetë që Ligji i ri na ka avancuar dhe ne konform tij po e bëjmë këtë UA, që besojmë që do të jetë shumë më i avancuar se sa ai i kaluari”, ka thënë ministri Buja.

Ndërsa, udhëheqësja e Zyrës së Tempusit në Kosovë, Kimete Canaj, ka theksuar se në seminar do të diskutohet për përvojat evropiane të shtojcës së diplomës, rëndësinë e saj, si dhe praktikat më të mira evropiane të shtojcës së diplomës.

Në seminar kanë marrë pjesë edhe zv. ministri Nehat Mustafa, rektori i UP-së, Mujë Rugova, dekanë, prodekanë, profesorë dhe ekspertë të reformave në Arsimin e Lartë nga Kosova dhe më gjerë.

Ndryshe, pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ dhe në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, të gjithë Bartësit e Arsimit të Lartë Publik dhe Privat janë të obliguar të lëshojnë Shtojcën e Diplomës për të gjithë studentët e jo vetëm në bazë të kërkesës së tyre.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.