MASHT

Ministri Bajrami takoi anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

27 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Prof. Dr. Arsim Bajrami ka pritur në takim anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet në Universitet dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ai i njoftoi anëtarët e Këshillit Drejtues që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në pajtim me vendimin e Qeverisë do të përgatis Udhëzimin Administrativ për organizimin e zgjedhjeve, ku do të përcaktohen modalitetet e zgjedhjeve, dinamika kohore dhe roli i strukturave drejtuese aktuale deri në zgjedhjen e strukturave të reja të organeve drejtuese të Universitetit. Zgjedhjet do të përfshijnë të gjitha organet e Universitetit, nga këshillat e njësive akademike, udhëheqësit e njësive akademike, Senatin, Këshillin Drejtues dhe shpalljen e konkursit për menaxhmetin e ri të Universitetit. Ministri Bajrami i njoftoi anëtarët e Këshillit Drejtues për vëzhgimin e këtij procesi zgjedhor në Universitet do të ftohen edhe organizatat profesionale ndërkombëtare dhe nacionale. 

Gjatë takimit, Ministri Bajrami i njoftoi anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që Projektligji për Arsimin e Lartë tashmë ka përfunduar dhe brenda javës planifikohet të miratohet në Qeveri. Me këtë rast, Ministri njoftoi që është synim i Ministrisë dhe i gjithë partnerëve ndërkombëtar që zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitet të organizohen në përputhje me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, nëse Kuvendi i Kosovës do të ketë mirëkuptimin që këtë projektligj ta shqyrtoj me prioritet. 

Ministri Bajrami, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur Universitetin e Prishtinës, si institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit të lartë në Kosovë, në përmbushjen e misionit të vet duke kryer detyrat e veta me përgjegjësi, konform Statutit dhe Ligjit në fuqi për Arsimin e Lartë, në ofrimin e një mësimdhënie të cilësisë sa më të mirë dhe duke vlerësuar me përgjegjësi kontributin e kuadrit të saj akademik. Ai kërkoj angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së për konstuktivitetit dhe bashkëpunim me të gjitha organet e Universitetin dhe për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme. 

Të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues u pajtuan për të ofruar kontributin e tyre në angazhimin dhe koordinimin e përbashkët për realizimin e mirëfilltë të misionit të Universitetit dhe për organizimin e një procesi të mirëfilltë zgjedhor në Universitet.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.