MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në takim me ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian

18 Nëntor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit tjerë diplomatikë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të akredituar në Kosovë, i cili u organizua nga Zyra e Komisionit Evropian dhe temë kryesore kishte zhvillimet në sektorin e arsimit.

Ministri Bajrami fillimisht ka falënderuar përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së,  për mbështetjen e vazhdueshme  dhe interesimin koherent për zhvillimet në sektorin e arsimit, por edhe në fusha tjera të jetës në Kosovë. 

“Siç e dini, kemi filluar procesin reformave në arsimin e lartë dhe që këto reforma të kenë sukses, është hartuar dhe dërguar për miratim në Parlament, Ligji për Arsimin Lartë dhe Ligji për Profesionet e Rregulluara, me të cilin  synojmë të ndikojmë në rritjen e cilësisë dhe krijimin e rendit të ri akademik”, tha ministri Bajrami.

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se kemi ndërtuar një bashkëpunim dhe partneritet të shkëlqyeshëm me mekanizmat ndërkombëtarë, të cilët po ndihmojnë në implementimin e reformave. Ndërsa, në  këtë kontekst, përmendi mbështetjen e vazhdueshme me programe e projekte të ndryshme nga  Zyra e Komisionit Evropian, Zyra Amerikane, Agjencia Austriake për Zhvillim, Qeveria   Gjermane, Norvegjeze, Finlandeze, Banka Botërore, etj.

Një pjesë të fjalës, ministri Bajrami ia  kushtoi krizës në Universitetin e Prishtinës,  me ç`rast theksoi se po punohet në vazhdimësi për stabilizimin e gjendjes aty, në krijimin e rendit të ri akademik, ku do të respektohen vlerat shkencore dhe do të synohet rritja konstante e cilësisë.

” Po punojmë, për të krijuar një ambient të shëndoshë akademik, që të kemi institucione të respektueshme dhe programe atraktive studimore,  që të rinjtë tanë t’i pajisim me diploma të pranueshme  ndërkombëtarisht“, theksoi ministri Bajrami.

Gjatë takimit u  fol dhe  u përkrah edhe  vendimi i  Qeverisë së Republikës së Kosovës, për organizimin e zgjedhjeve të  përgjithshme të parakohshme në UP, për të cilat u tha se duhet të jenë të organizuara mirë, të jenë zgjedhje të lira  nga të cilat duhet të rezultojë  besueshmëria dhe transparenca konform standardeve të botës demokratike.  

Në këtë takim, u diskutua edhe për çështje tjera me interes që kanë të bëjnë më trendet e arsimit në Kosovë.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.