MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në shënimin e 4 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka“ në Pejë

16 Nëntor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , z Arsim  Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 4 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka“ në Pejë, në të cilën ishin të pranishëm edhe rektorët e universiteteve publike, profesorë dhe studentë të këtij institucioni.
 
Me këtë rast, ministri Bajrami rikujtoi kohën e themelimit të universitetit publik në Pejë.
“Themelimi i Universitetit “Haxhi  Zeka“, ka  qenë  një ngjarje e madhe jo vetëm për qytetarët e Pejës dhe komunave përreth, por edhe për Kosovën, sepse Peja ka pasur traditë të gjatë akademike, ndërsa 4 vite punë të këtij universiteti, rrita dhe sukseset e tij, kanë arsyetuar më së miri vendimin e Qeverisë së Republikës  së Kosovës për themelimin e këtij universitetit”.
 
Duke folur për sukseset e Universitetit, ministri Bajrami tha se ka ardhur koha që arsimi lartë  sidomos universitetet, të bëhen promotorë të zhvillimit ekonomik, të  progresit e të demokratizimit të shoqërisë sonë, duke krijuar gjenerata te reja  të përgatitura me kompetenca e shkathtësi, që nesër do të ndihmojnë shtetin tonë në arritjen e standardeve  evropiane.


   
Por ne, tha  ministri Bajrami, duhet të jemi të përgjegjshëm për sfidat që na presin në këtë dhe në universitetet tjera publike.  “Universitetet cilësore krijohen përmes punës cilësore, mësimdhënies cilësore, programeve atraktive dhe kësisoj të kalojmë nga logjika e kuantitetit në atë të  kualitetit”. 
 
Si sfida, ministri Bajrami përmendi edhe specializimin e universiteteve dhe krijimin e një rendi të ri akademik që do të sillte qetësi në universitete, ndërsa inkurajoi rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” që të  zhvillojë këtë universitet në pajtim me nevojat komunitetit, të ekonomisë dhe të tregut  të punës.
 
Ministri Bajrami përmendi edhe faktin se tashmë Ligji Për Arsimin e Lartë është në procedurë të miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe tha se përmes këtij ligji synojmë standarde të larta të cilësisë,  rend dhe kulturë akademike. Ndërsa, ai theksoi se edhe Deklarata e Bolonjës promovon parimin e autonomisë së universiteteve. “Por, autonomia  është njëherësh edhe përgjegjësi dhe anëtarësimin në Bolonjë do ta meritojmë më punë cilësore”, tha ministri.


 
Në fund, ministri Bajrami porositi edhe studentët që të jenë kërkues për cilësi. “Të gjithë ne së bashku po punojmë që  të jemi pjesë e Bolonjës dhe besoj se këtë do ta arrijmë. Universitetet e forta  dhe cilësore krijojnë familje dhe shtet të fortë”.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.