MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në punëtorinë planifikuese për Planin e ri Strategjik për Arsim në Kosovë 2017-2021

4 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në hapjen e punëtorisë planifikuese për Planin e ri Strategjik për Arsim në Kosovë 2017-2021, e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me Projektin e GIZ-it për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin fillor.
 
Ministri Bajrami ka theksuar se, ky planifikim strategjik do të përcaktojë kahjet e zhvillimeve në arsim, në pesë vjetët e ardhshme dhe ky është momenti, i cili duhet të shënojë kthesë në arsim.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Plani i ri Strategjik do të jetë plan real dhe i përshtatshëm me programin qeveritar për arsim dhe nevojat që ka shteti i Kosovës.
 
“Nuk ka proces më të rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit, se sa të fokusohemi me shumë seriozitet dhe përgjegjësi në planifikimet tona të sakta sa i përket qëllimeve, objektivave dhe synimeve tona në pesëvjeqarin e ardhshëm. Plani i ri duhet të jetë një plan real, i përshtatur me nevojat që ka shteti i Kosovës, me programin qeveritar dhe me atë që ne e kemi quajtur prioritet kombëtar, arsim cilësor dhe të avancuar për rininë e Kosovës”, tha ministri Bajrami.
 
Tani më kemi një pasqyrë të sfidave dhe objektivave në arsim, theksoi ministri Bajrami, i cili foli edhe për sublimimin e rezultateve të Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011- 2016.


 
“Kemi shënuar të arritura, kemi  bërë një tranzicion të suksesshëm, kemi ndërtuar një sistem të mirë të kurrikulit, kemi filluar projektin e përshtatjes së sistemit arsimor me nevojat e tregut, jemi në fillim të reformave në arsimin e lartë dhe tani secili sektor i ka të identifikuara objektivat dhe sfidat”, vlerësoi ministri Bajrami.
 
Ministri Bajrami, ndër të tjera, foli edhe për procesin e digjitalizmit të shkollave dhe universiteteve, gjithëpërfshirjen në të gjitha nivelet e arsimit dhe mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve në procesin e reformimit të sistemit arsimor.
 
Në punëtori morën pjesë edhe zyrtarë të MAShT, Drejtorive Komunale të Arsimit, donatorë të sektorit të arsimit, pjesëtarë nga shoqëria civile, etj.  

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.