MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 24 mësimdhënësve të aftësuar nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie

7 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 24 mësimdhënësve, të cilët janë aftësuar sipas programit të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetitn “Hasan Prishtina” në Prishtinë. 

Ministri Bajrami ka falënderuar USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme të kësaj Qendre, e cila mbështetë një mësimdhënie efektive dhe inovative të të gjitha disiplinave në Universitetin e Prishtinës dhe në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e rajon. 

Duke theksuar domosdoshmërinë për Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie, ministri Bajrami tha se, kjo Qendër do të kujdeset vazhdimisht për ofrimin e një mësimdhënie moderne, mësimdhënie të shekullit 21, e cila merr parasysh faktin që kemi nevojë për një mësimdhënës interaktiv, për metodat të cilat do të mundësojnë që studentët të marrin mësimdhënie cilësore. 

“Pikërisht këto kurse që keni zhvilluar në tri fusha janë shumë të rëndësishme, pra avancimi i metodave të mësimdhënies, avancimi i standardeve të mentorimit në studimet master dhe të doktoratës dhe avancimi i metodave të vlerësimit të studentëve”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se këta 24 mësimdhënës, do të ndajnë përvojat me kolegët e tyre në universitet dhe do të mundësojnë që vërtetë të avancojnë me metodat e mësimdhënies.



Ne, tha ministri, dëshirojmë që Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie ta trajtojmë me prioritet dhe MAShT do të investojë që kjo Qendër të ofrojë shërbime për të gjitha universitetet publike dhe kolegjet private, sepse siç u shpreh ai, kjo Qendër do të ndihmojë edhe Ministrinë e Arsimit, por edhe Universitetin e Prishtinës në përpjekjet për të siguruar arsim cilësor në arsimin e lartë.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.