MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Punëtorinë “ Arsimi dhe Aftësimi Profesional për Punësim”

29 Janar, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në Punëtorinë “ Arsimi dhe Aftësimi Profesional për Punësim”, ku
u prezantuan gjetjet e projektit të GIZ-it, për mbështetjen e zhvillimit të AAP-së në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Arsimit, në reformimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, ndërtimin e standardeve kombëtare sa i përket AAP- së, si dhe përshtatjen e AAP-së me nevojat e tregut të punës.

Ndër të tjera, ministri vlerësoi edhe kontributin e qeverive të vendeve të BE-së, në ndërtimin e objektivave, ndërtimin e kurrikulave dhe ofrimin e trajnimeve, në krijimin e një arsimi profesional sipas modeleve të vendeve evropiane.

“Çështja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional është një çështje globale, e cila po diskutohet edhe  në vendet më të zhvilluara të BE-së, sepse shumica e vendeve e shohin perspektivën e zhvillimit ekonomik, përmes përgatitjeve të shpejta të të rinjve dhe plasimit të tyre sa më të shpejtë në industri”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu theksoi rëndësinë e përshtatjes së modelit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, duke vlerësuar se modeli gjerman është ideal për Kosovën, si një vend i cili ka perspektivë zhvillimin e bujqësisë, turizmit, ekonomisë së vogël dhe disa drejtimeve të teknologjisë informative.

Ministri Bajrami, foli edhe për lansimin e Projektit ALLED, i cili mundëson gjetjen e parametrave të nevojave të tregut të punës në fushat kryesore, si dhe fillimin e një projekti strategjik për orientimin e studentëve drejt shkencave ekzakte.

Gjatë ditës së sotme, ministri Bajrami , mori pjesë edhe në prezantimin e projektit studimor  të  zyrës së  BE-së, për Arsimin e Lartë në Kosovë  të përgatitur nga znj. Helene Scicos, zyrtare për politika në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit dhe Kulturës në Bruksel në kuadër të BE-së,  ku ishin të pranishëm, z. Thomas Gnocchi, shef në kuadër të Zyrës së BE-së në Kosovë për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane dhe rektorë të Universiteteve Publike dhe Kolegjeve Private të Kosovës. 

Ministri  Bajrami  e vlerësoi lartë studimin e znj. Helen, si një prezantim real i gjendjes në Arsimin e Lartë, ndërkaq shtoi se, për të ndërmarrë hapat e duhur për të  ardhmen, kemi nevojë që gjërat t’ i shohim ashtu siç janë. 

“Jemi të angazhuar që të kemi një Arsim të Lartë, i cili do ti përgjigjet kërkesave të tregut të punës, zhvillimit ekonomik të vendit” tha  ministri Bajrami. Ndërsa theksoi se po bëhen  hapa të guximshëm planifikuese  të programeve studimore edhe nga ana e universiteteve,  të cilat do të jenë shumë konkurruese në këtë aspekt .

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se  tashmë kemi disa profilizime  studimore nga ana e Universiteteve Publike  dhe  kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen , por shtoi se edhe Agjencia për Akreditim e Kosovës,  po harton standarde të reja të akreditimit  të programeve .  

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.