MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në promovimin e librit “Arkivi i Luftës” të autorit Berat Luzha

10 Shkurt, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në promovimin e librit “Arkivi i Luftës” (katër vëllime), të autorit Berat Luzha.

Ky libër përshkruan në kronologji, pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme të plasuara nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve “KosovaPress “, si dhe materiale tjera arkivore si lajme,  njoftime dhe informata të ndryshme që burojnë nga mediet brenda dhe jashtë vendit  gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministri Bajrami, me këtë rast, është shprehur se ky libër dokumentar është i një rëndësie të veçantë për të gjithë ne, ata që duan të mësojnë e informohen më saktë për  periudhën e artë të një kthese historike, e cila jo vetëm që ndërroi historinë e Kosovës, por vuri themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. 

“Ky dokumentar  në katër vëllime dhe dokumentarët e tjerë të ngjashëm tregojnë se lufta jonë ka qenë luftë e drejtë çlirimtare, e mbështetur nga populli, e cila ka vendosë  bazën shekullore  të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”, theksoi ministri Bajrami.

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se gjeneratat e reja nga ky libër dhe të tjerët, do të mësojnë më saktë dhe më drejtë për historinë dhe ky dokumentar dhe të tjerë që do të botohen, janë vepra kapitale, të cilat duhet të ruhen dhe shpërndahen edhe në institucione arsimore e biblioteka, që të edukojmë te rinjtë tanë për ngjarjet më të rëndësishme të historisë së shtetit tonë.



Ndërsa autori i librit, z. Berat Luzha, ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në botimin e këtij libri, posaçërisht Ministrinë e Arsimit dhe Institutin e Historisë.

Ndryshe, libri në katër vëllime “Arkivi i Luftës “ i autorit Berat Luzha, është botim i Institutit të Historisë, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.