MASHT

Ministri Bajrami: Matura Shtetërore 2016 të jetë në përputhje me ligjin e ri për Maturë

17 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar grupin punues të analizimit të Maturës Shtetërore 2015 dhe përgatitjes së planit për Maturën Shtetërore 2016, që përbëhet nga anëtarët e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës dhe Divisioni për Vlerësim Standarde dhe Monitorim.
Grupi punues me këtë rast ka bërë prezantimin e raportit të Maturës Shtetërore 2015, duke identifikuar rezultatet, sfidat dhe vështirësitë, mbi bazën e të cilave ka nxjerr edhe rekomandimet për përgatitjen e planit të punës, për organizimin e provimit të ardhshëm të Maturës.

Sipas analizës së grupit punues, kanë dalë edhe rekomandimet për trajnim të administruesve të provimit, në mënyrë që të eliminohen parregusitë, si dhe harmonizim të provimit të maturës me ligjin e ri për Maturë dhe Kurrikulën e re.

Ministri Bajrami ka thënë se pret finalizimin e këtij studimi, mbi bazën e të cilit do të bëhet  përgatitja e planit për Maturën Shtetërore 2016.

“Pres që ky studim të finalizohet sa më shpejtë, në mënyrë që të fillojmë me përgatitjen e planit për Maturën Shtetërore 2016, i cili duhet të jetë në harmoni me Ligjin e ri për Maturën Shtetërore, i cili së shpejti do të kaloj për miratim në Kuvend. Në ligjin e ri janë bërë lehtësime, sepse diplomimi i maturantëve tani më nuk ndërlidhet me provimin e maturës”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka folur edhe për ecurinë e Maturës 2015, duke e vlerësuar atë si të suksesshme, ndërkaq tha se matura e ardhshme do të jetë mundësi e mirë për të përmirësuar dobësitë dhe për të parandaluar keqpërdorimet.

Ministri Bajrami, po ashtu ka theksuar edhe rëndësinë e digjitalizimit të Maturës, porse sipas tij ky projekt do të pilotohet hap pas hapi.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.