MASHT

Ministri Bajrami emëroi katër anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së

12 Shkurt, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Prof. Dr. Arsim Bajrami, në bazë të dispozitave të nenit 18 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, ka emëruar katër (4) anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Anëtarët e emëruar të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë:

Prof. Dr. Ismet SALIHU,
Akademik Alajdin ABAZI,
Univ. Prof. Dr. Sigurd HÖLLINGER,
Prof. Asoc. Dr. Ahmet LATIFI.

– Prof. Dr. Ismet Salihu, jurist, profesor ordinar. Ai është angazhuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës nga viti 1967 në fushën e të drejtës penale. Dr. Salihu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Zagreb, në Universitetin e Sorbonës në Paris dhe ka përfunduar doktoratën në Fakultetin Juridik në Lubjanë. Në vitin 1987 ka përfunduar studimet e postdoktoratës në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës për të Drejtën penale dhe Kriminologji të Kosovës dhe prej vitit 1987-1995 ka qenë kryeredaktor i revistës “E drejta”. Në vitin 1990 ka qenë anëtar i Komisionit kushtetues të Kosovës dhe ka marr pjesë në përpilimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në dy mandate ka shërbyer si Dekan i Fakulteti Juridik. Ai ka marrë pjesë aktive në grupin punues në përpilimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal për të Mitur, Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe në shumë ligje të lëmive tjera. Për punën dyzetvjeçare pedagogjike dhe shkencore në ngritjen e kuadrove të juristëve të Kosovës si dhe kontributin në ndërtimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës i janë ndarë shumë mirënjohje. Dr. Salihu është autor i rreth 50 punimeve shkencore dhe profesionale nga lëmia penale.

Akademik Alajdin Abazi është rektor i Universitetit të Evropës Juglindore.Ai ka  kryer Fakultetin Elektroteknik në Zagreb, Kroaci (1965), ku regjistroi edhe studimet pasuniversitare dhe më 1973, mbrojti temën e magjistraturës. Më 1977, në të njëjtin universitet, ai mbrojti me sukses edhe tezën e doktoraturës në lëmin e elektroteknikës, me titull: ”Ruajtja dhe neutralizimi i ngarkesës elektrostatike në filmat izolues”.Prej vitit 1966 deri më 1969, ka punuar si inxhinier profesional. Në vitin 1969 u angazhua në Fakultetin elektroteknik të Universitetit të Prishtinës, ku një kohë, punoi edhe si dekan i Fakultetit Teknik 1979-1981. Në vitin 1985 fiton thirrjen e profesorit ordinar për lëndën “Elektromagnetika”, pranë katedrës së Teorisë Elektroteknike, në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1982 deri më 1990, krahas punës së tij akademike, ushtroi edhe detyrën e kryetarit të Bordit në Institutin për hulumtime shkencore dhe zhvillim “Inkos” dhe atë të Zëvendës kryetarit të Bordit të Elektroekonomisë së Kosovës. Ishte dhe anëtar i Bordit Jugosllavo-Amerikan i Kooperatës për shkencë dhe hulumtim.Dr. Abazi ka publikuar më shumë se pesëdhjetë punime shkencore dhe tekste universitare. Ai ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh shkencore.Në vitin 2001, profesor Abazi u emërua drejtor i Fondacionit të Universitetit të EJL në Tetovë. Pasi përfunduan ndërtimet, përkatësisht, pas hapjes së Universitetit, ai u emërua Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore.

– Prof. Dr. Sigurd Höllinger është këshilltar i lartë i Ministrisë Federale të Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë. Ai ka shërbyer si konsulent i lartë i Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian për fushën e arsimit të lartë. Nga viti 2008 ka shërbyer si konsulent për arsim të lartë i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Dr. Höllinger ka shërbyer për 19 vite si Drejtor Gjeneral për Arsim të Lartë në Ministrinë Federale të Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë (1986-2005). Aktualisht, ai është Drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Republikën e Austrisë. Dr. Höllinger ka një karrierë të gjatë të angazhimit dhe ekspertizës në fushën e arsimit të lartë, në kontributin e tij në zhvillimin e autonomisë universitare dhe Deklaratës së Bolonjës dhe në veçanti në kontributin e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë. Së fundi, ka qenë ndër ekspertët ndërkombëtar kryesor në procesin e rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

-Prof. Asoc. Dr. Ahmet Latifi është profesor në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Ai më 1985 ka kryer me sukses të shkëlqyeshëm Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve ka punuar si mësimdhënës i lëndëve të Makinerisë, pastaj si inxhinier në Industrinë e Akumulatorëve në Mitrovicë dhe në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë në Skenderaj. Në vitin 2002 ka përfunduar studimet e Magjistraturës, ndërsa pas 5 vitesh ka fituar gradën Doktor Shkence. Profesor Latifi nga viti 2001 ka qenë mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Teknike të Aplikuara në Mitrovicë.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.