MASHT

Ministri Bajrami dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë morën pjesë në hapjen e konferencës “Sigurimi i një arsimi të cilësisë së lartë në Kosovë”

12 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar, morën pjesë në hapjen e punimeve të konferencës ndërkombëtare “Sigurimi i një arsimi të cilësisë së lartë në Kosovë” të organizuar nga MAShT në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit (projekt i BE-së).

Kjo konferencë, e cila u mbajt në shkollën ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” (njëra nga shkollat pilote të Kurrikulës së re) ka ofruar një mundësi për profesionistët e ministrisë dhe ata komunalë të arsimit, për drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, që të ndajnë bashkërisht praktikat e mira lidhur me arsimin e bazuar në kompetenca, zbatimin e kornizës së kurrikulës në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së dhe sigurimin e cilësisë së arsimit para-universitar. Këto diskutime u përqendruan në rritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e cilësisë në arsim, që është edhe një parakusht për të ardhmen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në BE.

Ministri Bajrami falenderoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Finlandës dhe të Austrisë, si bartëse të Projektit të Binjakëzimit, për kontributin e madh në zhvillimin dhe modernizimin e arsimit në Kosovë.

Ministri tha se arsimi dhe edukimi janë prioritet kombëtar dhe ne si shtet i ri jemi duke punuar që të ngrisim standardet në arsimin parauniversitar. “Një arsim cilësor i shekullit 21 është detyrë e të gjithë neve, është sfidë e jona e së ardhmes. Një arsim cilësor në arsimin parauniversitar është një garanci e mirë edhe e arsimit universitar. Andaj, ne do të investojmë më shumë në shkollat tona, në autonominë e shkollave, në trajnimet dhe zhvillimin e karrierës së mësimdhënësve gjatë gjithë jetës”. Duke folur për pilotimin e Kurrikulës së Kosovës, ministri Bajrami tha se, duhet të jemi të hapur për të bërë një studim kritik për vlerësimin e kurrikulave tona se sa janë ato kompatibile me nevojat e të rinjve tanë, por edhe me nevojat e tregut të punës.

Ndërsa, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, z. Samuel Zbogar ndër tjera tha se, cilësia dhe ndërtimti i cilësisë në arsim duhet të jetë përqëndrimi ynë më i lartë. “Përmes Projektit të Binjakëzimit, BE-ja me Finlandën dhe Austrinë, në partneritet me MAShT, është duke punuar në zhvillimin, zbatimin e sigurisë, strategjisë gjithëpërfshirëse të sigurisë së cilësisë në sistemin arsimor”, theksoi ai. 

Ministri Bajrami dhe përfaqësuesi i BE-së, z. Zbogar, më pas kanë vizituar një klasë ku bëhet mësim praktik në kontabilitet dhe auditim.

Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po i ofrohet mbështetje në zbatimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011 – 2016, përmes prezantimit të Kornizës së Kurrikulës së Kosovës në 92 shkolla pilot. Këto shkolla do të mbështeten me trajnime për mësimdhënës në fusha të ndryshme, si gjuhë dhe komunikim, matematikë, shkenca natyrore, TIK, shëndetësi dhe mirëqenie si dhe në praktikat më të mira nga shtetet anëtarë të BE-së, Finlanda dhe Austria. Ky projekt po zhvillon edhe një sistem koherent për siguri të cilësisë me qëllim që shkollave t’u ofrohet mundësia që të zhvillojnë një “kulturë të cilësisë”, duke filluar me 18 shkolla pilot.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.