MASHT

Ministri Bajrami priti ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla

11 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimeve që kanë pasur dy ministrat dhe delegacionet e të dyja vendeve, është biseduar për bashkëpunimin në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe në hulumtim dhe shkencë.

“Tanimë kemi një qasje dhe metodologji plotësisht unike dhe bashkëpunimi në sferën e arsimit është një proces i domosdoshëm mes dy vendeve. U pajtuam që krahas përpjekje për krijimin e një arsimi cilësor të angazhohemi në ndërtimin e arsimit kombëtar, pra një arsim që nënkupton unifikimin të progameve në të gjitha nivelet e arsimit, sepse, Shqipëria dhe Kosova si dy shtete aspiruese për integrime kombëtare kanë për obligim që të krijojnë një arsim kombëtar për të rinjtë e dy shteteve”, tha ministri bajrami në konferencën për media, të mbajtur pas takimeve.

Ministri Bajrami theksoi se tashmë është vendosur një kornizë e mirë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit. “Në nivelin parauniversitar kemi punuar shumë në unifikimin e kurrikulave, kemi punuar në unifikimin e standardeve të mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe u pajtuam që këto procese të vazhdojnë, që sa më shumë të kemi programe të përbashkëta arsimore, në veçanti në fushat e kulturave kombëtare si dhe të kemi tekste të përbashkëta”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se me Shqipërinë do të ketë bashkëpunim edhe te arsimi profesional.

Ministrat Bajrami e Nikolla, po ashtu, biseduan për çështje konkrete të bashkëpunimit rreth rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili është në proces të rishikimit nga të dyja vendet, si dhe për asistencën që do të japë Shqipëria në hartimin e Ligjit për Profesionet e Rregulluara, duke qenë se Shqipëria ka disa vite që e ka rregulluar këtë çështje. “Së shpejti do të kemi një takim të përbashkët të grupeve të ekspertëve tanë që do të koordinohen në hartimin e përbashkët të ligjeve”, tha ministri Bajrami.

Po ashtu, u bisedua për çështje të rëndësishme në fushën e arsimit, sic janë, shkëmbimi i teksteve për arsimin dhe aftësimin profesional dhe materialeve mësimore dhe hartimi i teksteve të përbashkëta në të ardhmen, shkëmbimi i standardeve të profesionit për nivelin e mesëm të lartë (shkollat profesionale), shkëmbimin dhe mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe hulumtuesve shkencor, krijimin e programeve të përbashkëta të studimit, bashkëpunimin në lehtësimin e njohjes së diplomave të arsimit të lartë të fituara në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, shkëmbimi i përvojave në rregullimin e profesioneve, krijimin e partneriteteve të përbashkëta për aplikim në programet evropian për hulumtim dhe zhvillim.
Ndërsa, ministrja Nikolla, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e unifikimit të sistemeve arsimore dhe ngritjen e cilësisë, të cilat mundësojnë për të rinjtë e Shqipërisë dhe të Kosovës jo vetëm mobilitet për shkollat dhe universitetet, por edhe në çdo vend tjetër të BE-së. “Sigurisht që janë hapa të menduara mirë, programe të strukturuara mirë, por besoj që kanë filluar të japin rezultatet e para”, tha ajo.

Ne, theksoi ministrja Nikolla, në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive tona, do të propozojmë krijimin e ekipit të përbashkët të ekspertizës, të cilët do të mundësojnë standardizimin e procesit të kualifikimit të mësuesve, modulet e përbashkëta të kualifikimit dhe ekipet e përbashkëta të trajnerëve që do të mundësojnë kualifikimin e mësuesve në këtë Kurrikulë të re të unifikuar të arsimit parauniversitar në Shqipëri dhe Kosovë.

Ministrat e të dy vendeve u pajtuan edhe për fillimin e një tradite të re të Ditëve të Hapura (e cila do të shënohet një ditë në Prishtinë dhe një ditë në Tiranë), e cila do t’iu japë hapësirë të rinjve që të njihen më mirë me njëri-tjetrin.

Ministrja Nikolla, po qëndron në Kosovë me ftesë të ministrit Bajrami. Ajo gjatë ditës do të ketë edhe takime me udhëheqës të institucioneve të larta të vendit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.